Përmbytjet, janë dhuruar mbi 3 milionë denarë për rajonet e përmbytura

06.02.2015 17:13

Në vendbanimet e përmbytura, “Kryqi i kuq” sot ka shpërndarë pako me ushqim, ujë të pijshëm dhe mjete për dezinfektim për gjithsej 400 familje...

Ndërsa gjatë fundjavës pritet të përfshihen edhe 200 familje. Menjëherë pas përmbytjeve ka filluar edhe aksioni humanitar, me ç’rast rreth 3 milionë denarë janë donuar përmes operatorëve telefonik për rajonet e përmbytura, derisa në llogarinë e Fondit të Solidaritetit janë mbledhur 150.000 denarë.

Aksionit për ndihma për rajonet e përmbytura i janë bashkuar edhe shkollat e Shkupit. Nxënësit e Shkollës Fillore “Leka i madh” kanë donuar pako me ujë të ambalazhuar dhe mjete për dezinfektim.

“Ideja për këtë iniciativë ishte e prindërve dhe ne e mbështetëm. Në këtë aksion janë kyçur nxënësit, prindërit, por edhe banorët që jetojnë këtu afër. Aksioni për ndihma zgjatë tashmë 2 ditë. Kemi bashkëpunim me “Kryqin e kuq”, të cilët sot ishin këtu dhe i morën disa nga gjërat e mbledhura për t’i dërguar në zonat e përmbytura”- deklaroi drejtoresha e shkollës, Slagjana Nastovska.

Ndihma humanitare për zonat e përmbytura pritet edhe nga “Kryqi i kuq” i vendeve të rajonit. (Ersan Pajaziti, TVM2)