Reshjet e shiut ndërpriten sonte

06.02.2015 17:29

“Fusha e minuar nga uji”, me këto fjalë mund të përshkruhet gjendja aktuale nga përmbytjet dhe reshjet intensive të shiut që kapluan vendin këto dy ditë...

Hidrologët thonë se niveli i lumenjve gjithnjë e më shumë po rritet dhe ekziston rreziku për daljen e ujit nga shtrati i lumenjve. Më kritike janë zonat e Maqedonisë Veriperëndimore. Aty uji ka përmbytur shumë fusha dhe vendbanime dhe janë krijuar shumë moçale me ujë.

“Kemi rritje të nivelit të të gjitha ujërave në vend. Më kritike janë shtretërit e lumenjve të vegjël, sipërfaqja e të cilëve nuk do të ketë kapacitet të mjaftueshëm t’i pranojë  shirat e mëdha. Gjithashtu  kritike janë lumenjtë në Strumicë, Radovish, Prilep, Manastir, Kumanovë, si dhe lumi Crna”- deklaroi hidrologu, Atanas Ugrinski.  

Por, lajme të mira kemi nga meteorologët. Në orët e vona të mbrëmjes pritet të ndalohen të gjitha reshjet e shiut.

“Reshjet e shiut gjatë kësaj nate pritet të ndërpriten në tërë territorin e vendit dhe deri në këto momente të njëjtat nuk priten të rifillojnë. Gjatë ditës së nesërme pritet të kemi mot të ndryshueshëm, me periudha të  kohëpaskohshme të diellit, ndërsa nëpër viset malore do të ketë reshje të vogla të dëborës dhe do të fryjë erë veriperëndimore”- tha meteorologjia, Lena Jovanovska.

TVM-2 pyeti edhe Institutit Sizmologjik të vendit se a ekziston rrezik që reshjet e shiut të shkaktojnë tërmete eventuale. Por, nga ky institut thonë se mund të jemi të qetë, nuk ekziston asnjë mundësi për të pasur tërmete, mirëpo zonat më kritike që mund të arrijnë deri më 9 shkallë të riterit janë zonat e Berovës, Resnjës, dhe Pehçevës.

“E di se po përflitet dhe ndërlidhen reshjet e shiut me rrezikun që mund të kemi termet. Mirëpo unë shumë herë kam thënë se reshjet e shiut dhe përmbytjet nuk mund të shkaktojnë termet në Maqedoni, sepse termetet janë lëvizje tektonike për rreth gjatësisë së tokës dhe ndodh atëherë kur dy sipërfaqe tokësore po lëvizin në anë të kundërt”- u shpreh drejtori i Institutit Sizmologjik, Mihail Garevski.

Temperaturat e mëngjesit gjatë këtij vikendi do të lëvizin prej minus 2 deri në 4 gradë celsius, ndërsa ato të ditës do të arrijnë deri në 9 gradë celsius. Ulje më të madhe të temperaturave pritet nga dita e hënë. (Rexhep Qamili, TVM2)