Rasti “Puç” me plot paqartësi për Uashingtonin
Eurodeputeti i Partisë Popullore, Edvard Kukan, si njohës i mirë i Ballkanit thotë se situata është keqësuar, pasi lideri i opozitës u akuzua për prishje të rendit kushtetues dhe puç ndaj pushtetit...

Ai kërkon nga VMRO-DPMNE-ja që të respektojë parimet demokratike që sugjerojnë ndarjen e qartë mes partisë dhe shtetit. Nga partia e socialistëve kërkojnë nga qeveria sqarime për rastin “Puç”.
“Është e vështirë të besohet se hetimi do të jetë i paanshëm kur ato akuza erdhën nga kryeministri e jo nga pushteti gjyqësor dhe në këtë rast mund të dëmtojë rezultatin e hetimit”- thuhet në reagimin e socialistëve.
Ndërsa eurodeputeti nga radhët e socialistëve, Riçard Hovit, madje kërkon nga qeveria të sqarojë se pse akuzat erdhën nga kryeministri, si incizimi nga kabineti i tij u publikua dhe pse në dokumentet e MPB-së nuk ka akuza për spiunazh kundër Zaevit.
Edhe zyrtari i lartë amerikan, Tomas Melia, nuk e ka të qartë se çfarë përbën vepër penale në rastin “Puç”. Përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit thotë se SHBA-të janë në pritje për të mësuar më shumë rreth këtij rasti.
“Nuk e kam plotësisht të qartë se cila është vepra penale që është kryer, ose vepra penale që ndoshta do të kryhej. Presim të mësojmë më shumë rreth kësaj dhe shpresojmë se do të respektohet parimi i sundimit të së drejtës. Le të flasim njëherë për provat dhe më pas për akuzat, nëse kjo është e domosdoshme dhe le të shohim pastaj nëse institucionet funksionojnë si duhet”- tha zyrtari i lartë amerikan, Tomas Melia.
Ndërkohë, nga Ambasada e SHBA-së në Maqedoni shprehin shqetësim për deklaratën e Zyrës së Prokurorit Publik, në të cilën thuhet se ndalohet dhe dënohet me ligj publikimi i materialeve që mund të bëhen subjekt i procedurave të mëtejshme penale.
“Jemi të shqetësuar se deklarata e Zyrës së Prokurorit Publik mund të keqinterpretohet nga mediet në Maqedoni si mesazh se ato nuk duhet të kryejnë këtë rol të rëndësishëm. Nxisim autoritetet të sigurojnë justifikim të qartë ligjor për deklaratën e tre shkurtit, ku do të identifikohen rrethanat specifike në të cilat një informatë duhet të trajtohet si sekret zyrtar dhe të shpjegohet se në ç’mënyrë gazetarët do të dinë kur vlejnë ato rrethana”- thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane. (Sanije Kasami, TVM2)
