Shirat e rrëmbyeshëm marrin jetën e 7 vjeçarit në Nikushtak

06.02.2015 17:40

Shirat e rrëmbyeshëm, të cilët sot gjatë mesditës përfshinë rajonin e Kumanovës dhe Likovës, morën viktimën e parë....

Në të vërtetë rreth orës 12:30, në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës, si pasojë e përmbytjeve, ka gjetur vdekjen nxënësi shtatëvjeçar, Almir Zendeli, nga fshati Nikushtak.

Sipas dëshmitarëve, në momentin kritik Almirin me të vëllanë e tij 8 vjeçar, pasi kishin dalë nga shkolla dhe ishin nisur në drejtim të shtëpisë, i bart me vete lumi i shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm. Deri sa njëri nga fëmijët ka arritur të shpëtojë falë ndihmës së ofruar nga një grua, Almirin uji e kishte bartur disa qindra metra. Pasi e kanë gjetur atë, e kanë dërguar në Spitalin e Kumanovës, ku mjekët për fat të keq vetëm kanë arritur ta konstatojnë vdekjen e tij. 

Banorët ankohen se sa herë që bie shi rrugët në këtë fshat janë të pakalueshme dhe shkaktojnë vështirësi për banorët vendor. (Nexhat Aqifi, TVM2)