Mbi 41 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, në mesin e viktimave edhe shqiptarë

14.02.2023 16:10

Në ditën e nëntë të tërmetit dhe pas 198 orësh një mrekulli e dyfishtë....

Në ditën e nëntë të tërmetit dhe pas 198 orësh një mrekulli e dyfishtë vjen nga rrënojat në Kahramanmaraş. Mediat turke raportojnë se dy vëllezër janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e një apartamenti në Kahramanmaras.

Bëhet fjalë 17-vjeçarin Muhammet Enes Yeninar dhe 21-vjeçarin e quajtur Baki Yenina Abdulbaki, të cilët shpëtuan nga rrënojat

“Pashë që muri i katit të sipërm po shembej në shtratin tim. Pastaj kam dëgjuar zilen e celularit tim. Fillimisht mendova se dikush më telefonoi, por më pas kuptova se ishte alarmi im. Në fakt celulari im na shpëtoi. Unë bëjë sport çdo mëngjes, kështu që zakonisht mbaj një shishe me ujë dhe celularin pranë shtratit tim. Gjatë asaj kohe që ishim bashkë, besuam te Zoti dhe ne e mbështetëm njëri-tjetrin.", - tha Muhammed Enes, i mbijetuar i tërmetit.

Gjithashtu të martën, në Adiyaman, 18-vjeçari Muhammed Cafer Cetin u shpëtua rreth 198 orë pas tërmeteve.

Turqi, Erdogan pagëzon një foshnjë të sapolindur

“Në rrethana kur  numri i të vdekurve nga tërmetet e javës së kaluar në Turqi dhe Siri ka shkuar mbi 40,000, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka vendosur emrin një foshnje të porsalindur në një spital në Stamboll.

Gjatë vizitës së tij në spital për të mbijetuarit nga tërmeti shkatërrimtar, ai i thirri ezanin në veshin e foshnjës dhe e quajti atë “Ayse Betul”, duke e përsëritur atë tre herë: “Allahu ekber, Allahu ekber, Ayse Betul, Ayse Betul, Ayse Betul”.

Në mesin e mbi 41 mijë të vdekurve nga tërmeti janë edhe 70 shtetas turk me origjinë shqiptare, ka deklaruar Kryetari i shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve në Turqi, Evren Kaya. Sipas tij deri më tani vetëm një familje shqiptare është nxjerrë e gjallë nga gërmadhat.

“Në Kahramanmaras 70 vetë na kanë vdekur. Edhe në Hatay, tre persona shqiptarë na kanë vdekur. Vetëm një person me familje ka shpëtuar prej ndërtesës ka dalë gjallë, me katër persona”, ka thëne Evren Kaya, kryetari i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve në Turqi.

Shanset për të gjetur të mbijetuar më shumë se një javë pas tërmeteve vdekjeprurëse po zbehen, ndërsa OKB-në ka thënë se fokusi është kalimi nga operacionet e shpëtimit në strehim, ushqim dhe shkollim, pasi mbi një million njerëz kanë mbetur të pa strehë. (Safet Ademi, TVM2)