Maqedoni
Strugë, aksion për trajtimin e qenve endacakë
15.02.2023 13:51
Qentë endacakë në Strugë janë një ndër promlemet më të mëdha të qytetit...

Kohëve të fundit janë në numër të madh ndërsa pothuajse çdo ditë raportohen sulme nga qentë endacakë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Komuna e Strugës shpesh ka bërë thirrje që ky problem të zgjidhet në nivel shtetëror. Megjithatë komuna ka bashkëpunuar me një firmë nga Kumanova, dhe ditë më parë filloi aksioni për kapjen dhe trajtimin e qenve endacakë.
“Firma është zgjedhur dhe kanë dal në teren, janë kapur një numër i qenve endacakë, kemi edhe fotografi të tretmanit të tyre, kanë shenjë në veshë dhe mikropçip. Presim që në një kohë të shkurtër të kthehen në vendin e njëjtë. Nuk kemi numër të saktë të qenve endacakë, sepse është e ndryshueshme, ka shumë qen që i sjellin me kombe nga vendet tjera, ne nuk mund ti shohim se janë ose shumë herët në mengjes ose shumë vonë natën. Do mundohemi që sa më shumë të kapim në këtë tender dhe nëse ka nevojë do të zgjerojmë edhe më mjete financiare”, u shpreh inspektori komunal i mjedisit Mitko Korkutoski.
Nga komuna thonë se ky aksion do të reduktojë numrin e qenve endacakë, megjithatë nuk do të zgjidh tërësisht problemin.
“Mendojmë se ky problem nuk do të zgjidhet kaq lehtë, kryebashkiaku ka paraqitur një iniciativë në qeveri për ndryshimin e legjislacionit për kalimin e trajtimit në agjencinë e ushqimit dhe veterinarisë nëpërmjet shërbimeve kompetente të inspektimit, për të ushtruar kontroll më të madh për copëtimin e qenve, pra që shteti të luajë një rol të madh në atë procedurë”, theksoi Korkutoski.
Situata me qentë endacakë në Strugë është alarmante, ndërsa përveç qytetit edhe fshatrat e Strugës po e vuajnë këtë problem. Aksioni për trajtimin e qenve momentalisht nuk është paraparë për fshatrat, me fondet e ndara, prioritet është qyteti.
ILMIJE ZHAKU
