Maqedoni
Rasti "Thesari", Mijallkov as në rigjykim nuk ndjehet fajtor
15.02.2023 14:20
Pasi më 25 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit në Shkup anuloi aktvendimin e shkallës së parë për për rastin “Thesari”...

Pasi më 25 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit në Shkup anuloi aktvendimin e shkallës së parë për për rastin “Thesari”, ku ish-shefi i DSK-së Sasho Mijallkov ishte dënuar me 8 vjet burgim, procesi gjyqësor filloi nga e para. Kësaj radhe procesin gjyqësorë do ta udhëheqë gjykatësja, Imrane Seljmani, ndërsa akuzën e përfaqësojnë Artan Ajro dhe Trajçe Pelivanov. Edhe kësaj radhe si Mijallkov ashtu dhe Nebojsha Stojkoviq dhe Toni Jakimovski u shprehën se nuk ndjehen fajtorë për akuzën për të cilën ngarkohen.
“E kuptova se për çfarë bëhet fjalë, mund të them se nuk ndjehem fajtorë.”, - theksoi Mijallkov.
Në vazhdimin e procesit gjyqësor, gjykatësja do të vendosë nëse do të ketë eskertizë për këtë rast, teksa procedura do të vazhdojë me shpalosjen e dëshmive. "Thesari" është rasti për blerjen e paligjshme të pajisjeve të përgjimit nga Britania e Madhe, me të cilën buxheti i shtetit është dëmtuar për rreth një milion euro. Sipas aktakuzës, MPB-ja ka lidhur marrëveshje për blerjen e paisjeve me kompaninë “Finzi” si ndërmjetës. Arsyetimi i Gjykatës së Apelit për ta kthyer lëndën "Thesari" në rigjykim ishte për shkak të shkeljeve thelbësore në procedurë.
Aktualisht, Mijallkov është duke vuajtur dënimin me burg në burgun e Strugës për rastin “Perandoria” për të cilin e ka pranuar fajësinë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
