Tetovë, protesta për ajër të pastër
“Duam ajër të pastër”, “Ne jemi nëna dhe nuk dorëzohemi”, “Stop ndotjeve kancerogjene”, “Mendo për mua sot-të mendoj për ty nesër”, “M’le të marrë frymë”, “Kryeministri Gruveski, vrasësi i tetovarëve” ishin këto disa nga pankartat që protestuesit sot mbanin në dorë në protestën që u organizua kundër ndotjes së ajrit në Tetovë...

Nga shoqata ekologjike thanë se nuk është kjo betejë kundër të punësuarve të “Jugohromit”, por kjo është betejë kundër pangopësisë së pronarëve të saj, duke i bërë thirrje kryeministrit Gruveski që të mos tallet me fatin e qytetarëve të Pollogut dhe që t’i detyrojë menjëherë ndotësit ta mbyllin këtë kombinat.
“Kanë kaluar tre muaj që kur Qeveria e Maqedonisë vendosi të mbyllë sytë përpara një gjenocidi tjetër ekologjik. Tre muaj kanë kaluar kur Gruevski dhe vasalët e tij vendosën që edhe njëherë të subvencionojnë vdekjen, duke u bërë avokatë të ndotësve. Tre muaj kanë kaluar që kur në nëntor të 2014-tës u grumbulluam këtu për të ngritur zërin e protestës ndaj helmimit masiv që po na bëhet. Sot vazhdojmë të jemi të helmuar po aq sa ishim gjatë gjithë vitit 2014”- deklaroi Arijanit Xhaferi nga “Eko Guerila”.
“Qytetarë, ndoshta ndërgjegjja dhe vetëdija nuk ishte gjithë aq e nivelit para se kompetentët, mjekët dhe të gjithë ata që e njohin mirë këtë lëmi, pasojat nga ky helmim masiv të na vetëdijësojnë profesionalisht dhe të na bindin me argumente të dëshmueshme se vërtet gjendja është alarmante”- tha akademiku, Abdulmenaf Bexheti.
Protestës së sotme në Tetovë iu bashkuan personalitete të shumta, ata apeluan deri tek Qeveria e Maqedonisë që ta marrë me shumë seriozitet mbylljen e Kombinatit metalurgjik “Jugohrom”, pasi që për çdo ditë po e helmon Pollogun.
“Apeloj tek e gjithë popullata të dalin të protestojnë për një ajër të pastër të Pollogut, ndërsa pushtetarëve u apeloi që është momenti që të dalin në krah të popullatës, do me thënë në krah të atyre që i kanë votuar dhe që janë zotuar që të punojnë për të mirën e popullatës”- theksoi këngëtari, Arif Ziberi.
“Jemi këtu për të shprehur revoltën ndaj ndotësit të ajrit, edhe ne si aktorë jemi kundër kësaj ndotje dhe në emër të Shoqatës së Aktorëve dua të them se do i përkrahim protestat kundër ndotjes së ajrit, pasi që rrezikohet shëndeti i të gjithë qytetarëve të Pollogut”- u shpreh aktori, Burhan Amiti.
Në protestën e sotme në Tetovë morën pjesë qindra qytetarë të Tetovës, në mesin e të cilëve kishte përfaqësues të partive politike, profesorë universitar, aktorë, këngëtarë, anëtarë të kabinetit të Kryetares së Komunës së Tetovës, studentë dhe nxënës. Ata nga qendra e qytetit kanë marshuar drejtë bulevardit “Ilira” dhe për disa minuta bllokuan rrugën në dalje të Tetovës për në Shkup. (Miftar Emini, TVM2)
