VMRO-DPMNE: Nuk duan të jenë pjesë e anijes që fundoset

15.02.2023 15:21

Kovaçevski dhe Ahmeti....

Kovaçevski dhe Ahmeti ruajnë koalicionin e tenderëve, krimit dhe nepotizmit thonë nga VMRO-DPMNE. Prandaj sipas tyre pas largimit të Alternativës dhe  LD-së,  askush nuk dëshiron të jetë pjesë e mazhorancës.

“Për shkak të krimit të Kovaçevskit, mazhoranca po tkurret. Pasi doli Alternativa dhe Lidhja Demokratike, askush nuk dëshiron të qëndrojë në anijen që fundoset. Kovaçevski dhe Ahmeti ruajnë koalicionin e tenderëve, krimit dhe nepotizmit. Dhe Kovaçevski e di që Ahmeti po e shpëton për të kryer sa më shumë tenderë, për përfitim personal dhe është i gatshëm për të gjitha llojet e lëshimeve vetëm që të vazhdojë së bashku me Ahmetin në grabitjen e Maqedonisë”  - thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

LSDM: VMRO-DPMNE kundër BE-së, gjuhës dhe ligjeve

Ndërkohë nga LSDM kanë akuzuar VMRO-DPMNE se ka ngelur parti destruktive, e cila është kundër BE-së, kundër gjuhës maqedonase, dhe nuk kujdeset për interesat e shtetit dhe nevojat e qytetarëve.

“Derisa miratohen ligje të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin, deputetët e VMRO-DPMNE-së, të paguar me paratë e qytetarëve, nuk janë në sallë, nuk janë në vendin e punës, nuk votojnë dhe nuk japin asnjë kontribut. Ky është qëndrimi i VMRO-DPMNE-së ndaj Kuvendit, ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve.VMRO-DPMNE e nervozuar se dështuan skenarët për zgjedhje të parakohshme, ikin nga përgjegjësia, veprojnë kundër interesave të shtetit dhe qytetarëve” thuhet në komunikatën e LSDM-së. (Naim Ramadani, TVM2)