Osmani takon përfaqësuesit bullgarë, dakordohen për takime më të shpeshta

15.02.2023 17:06

Ministri i jashtëm Bujar Osmani....

Ministri i jashtëm Bujar Osmani, ka takuar  përfaqësuesit e shoqatave bullgare në vend, Gjorgji Trendafilov dhe Lupço Gorgievski, të cilët kanë përcjellur pakënaqësitë dhe problemet që sipas tyre, e shoqërojnë komunitetin bullgar në RMV.

Janë dakorduar për takime më të shpeshta si dhe për mundësinë e përfshirjes së bullgarëve në bashkëpunimin me organet shetërore, thuhet në komunikatën e MPJ-së. 

“Në takim u shkëmbyen mendime për çështjet që prekin komunitetin bullgar në Maqedoninë e Veriut, sfidat me të cilat përballen shoqatat, si dhe mundësitë për bashkëpunim më të drejtpërdrejtë dhe intensiv me shtetin”.

Trendafilov: Mund të kontribuojmë në uljen e tensioneve

Përfaqësuesit bullgar kanë shprehur gadishmërinë e tyre për të kontribuar në përmirësimin e raporteve Shkup-Sofje. Kërkojnë zbatimin e dispozitave të dala nga Marrëveshja për Fqinjësi të mirë dhe propozimi francez.

“Kërkuam nga ministri  që në punën që ai do ta bëjë,  të mundemi edhe ne të ndërmjetësojmë që të ulen tensionet, sepse në një atmosferë eksplozive, është e pamundur të miratohen vendime racionale  politike cilësore” – tha Gjorgji Trendafilov, Përfaqësues i Shoqatës Bullgare.

Takimi u realizua në prag të skadimit ta afatit ligjor për ri-regjistrimin e shoqatave bullgare, emrat e të cilave  konsiderohen ofenduese dhe provokuese.

Gorgievski: Nuk e ndërrojmë emrin, do kërkojmë drejtësi

Por,  Lupço Gorgievski nga shoqata “Ivan Mihajllov”, për TVM2 thotë se ata kanë vendosur t’i shkojnë procedurës deri në fund, e nëse nuk gjejnë drejtësi,  instanca e fundit do të jenë institucionet ndërkombëtare.

“Klubi ynë nuk do ta ndryshojë emrin. Do t’i çojmë betejat juridike deri në fund. Do t’i shterim  të gjitha institucionet juridike në Maqedoninë e Veriut, dhe, nëse nuk merret vendim pozitiv, atëherë drejtësinë do ta kërkojmë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strazburg” – u shpreh Përfaqësues i Shoqatës “Ivan Mihajllov”, Lupço Gorgievski.

Klubet bullgare  kundërshtojnë  ndryshimet ligjore për formimin e shoqatave  dhe kërkojnë që  ligji të mos ketë  zbatim retroaktiv. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)