Bajden: Ukraina po lufton për mbijetesë

06.02.2015 18:10

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se Ukraina është duke luftuar për mbijetesën e saj...

Duke folur së bashku me shefin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, në Bruksel, Biden ka thënë se “Rusia vazhdon të përshkallëzojë konfliktin, duke dërguar mercenarë dhe tanke". Rusia “nuk bën të lejohet që të rivizatojë hartën e Evropës”- ka thënë Biden. “Ky është momenti kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të qëndrojnë së bashku”- ka shtuar ai.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se “agresioni i vazhdueshëm i Rusisë” në lindje të Ukrainës është kërcënimi më i rëndë me të cilin përballet Ukraina sot.

Kerry ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të vendos së shpejti nëse do të ndihmojë Ukrainën me armë vdekjeprurëse ose jo.