Botë

SHBA: Nuk ka ndryshuar pozicioni për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

16.02.2023 11:52

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar pozicionin sa i përket njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë...

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, thotë për  Radion  Europa e Lirë,  se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qëllim përfundimtar njohjen reciproke.
 
Propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.
 
Duke komentuar propozimin,  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duhet të përfshihet njohja.
 
Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, njohja nuk përmendet në mënyrë specifike, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.