Maqedoni

Vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

16.02.2023 13:12

Me dëgjimin edhe të disa dëshmitarëve sot, në Gjykatën Themelore në Tetovë...

Me dëgjimin edhe të disa dëshmitarëve sot, në Gjykatën Themelore në Tetovë, vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. 
 
Gjykatësi Jordan Vellkovski paralajmëroi se do të ftohen edhe ekspertët që kanë përgatitur ekspertizën. Më pas do të ketë seanca dëgjimore të dëshmitarëve dhe dëshmi me shkrim të mbrojtjes.
 
Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit Klinik të Tetovës si person juridik, edhe pse në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, vazhdojnë të këmbëngulin se  nuk i kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.
 
Në  zjarrin që shpërtheu  më 8 shtator të vitit 2021 në spitalin modular të Tetovës ku kuroheshin pacientët  e infektuar me Covid 19, humbën jetën 14 persona, ndërsa dhjetëra u lënduan.
 
Gjykimi për këtë lëndë ka nisur  më 7 dhjetor të vitit 2022, pas shtyrjeve të disaherëshme të seancave të caktuara që nga shtatori i po të njejtit vit. seanca e fundit në të cilën u dëgjuan shtatë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria u mbajt më 31 janar.