Vazhdojnë mrekullitë në Turqi, pas 248 orësh një 17 vjeçare del gjallë nga rrënojat

16.02.2023 16:39

17 vjecarja Alena Kurtz....

17 vjecarja Alena Kurtz,  u nxor e gjallë nga rrënojat e një ndërtese në Kahraman-marash, 248 orë pas dridhjeve shkatërruese me magnitudë 7.8 dhe 7.7 ballë të 6 shkurtit. 

Edhe  një 74-vjeçare po në Kahraman-marash , është shpëtuar nga rrënojat e tërmetit pas 227 orësh.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare nga autoritetet turke, numri i të vdekurve ka shkuar në 36,187, në Turqi dhe të paktën 5,840 viktima të të raportuara nga Siria.

“Turqia, një zemër”, 6.1 mld dollarë ndihma, 1 mln euro nga Shqipëria

Turqia të mërkurën mbrëma, përmes një maratone televizive në 8 kanalet kryesore turke që  transmetuan drejtpërdrejt fushatën e quajtur “Turqia, një zemër”, arriti të mbledhë më shumë se 6.1 miliardë dollarë ndihma për të mbijetuarit e tërmeteve të javës së kaluar që goditën 11 provinca duke prekur miliona njerëz. 

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama telefonoi drejtpërdrejt gjatë transmetimit,  ku deklaroi se në emër të popullit shqiptar dhurohen  1 milionë euro si shenjë solidariteti dhe falenderimi për popullin turk që ndihmoi  Shqipërinë kur u prek nga tërmeti i 26 Nëntorit në 2019-n.

“Nuk do ta harrojmë kurrë atë që Turqia dhe Erdogan bënë pas tërmetit në

2019-n dhe kemi vendosur të mbështesim popullin turk. Shpresojmë që familjet turke ta kalojnë këtë tragjedi falë solidaritetit. Shqipëria në emër të qytetarëve shqiptarë, do të dhurojë 1 milionë euro. E dimë që nevojiten shumë më tepër, por jemi pranë jush dhe japim çfarë mundemi” – tha Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Stoltenberg: NATO do  të sigurojë strehim për mijëra persona

Aleanca Veri-Atlantike planifikon të sigurojë strehim për mijëra persona që kanë mbetur në rrugë në Turqi, si pasojë e tërmeteve vdekjeprurëse.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se  NATO është duke ndërtuar streha të përkohshme dhe planifikon të dërgojë “dhjetëra mijra tenda” në Turqi në ditët dhe javët e ardhëshme.

Shembja e ndërtesave në Diyarbakir, autoritetet turke arrestojnë  15 persona

Ndërkohë autoritetet  turke kanë arrestuar 15 persona,  nga 39 të dyshuarit nën akuzën për defekte në ndërtimin e banesave të cilat u shembën në Diyarbakir.

Mes të arrestuarve janë edhe kontraktorët, të cilët akuzohen për veprën penale “vrasje me paramendim”.

Po punohet për arrestimin e gjashtë të dyshuarve të tjerë të cilët janë në arrati. (Fitore Demolli, TVM2)