Në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta të Abdilaqim Ademit, UT promovoi post mortum, librin e tij “Grafeni”

16.02.2023 18:27

Në Universitetin e Tetovës, sot u promovua libri (post mortum) “Grafeni – Sinteza...

Në Universitetin e Tetovës, sot u promovua libri (post mortum) “Grafeni – Sinteza, karakterizimi dhe aplikimi” i autorit Abdilaqim Ademi.

Ky libër i takon lëmit të nano-teknologjisë dhe nano-materialeve, dhe është edhe disertacioni i doktoratës së të ndjerit.

Kjo vepër u botua nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”.

“Ne e kujtojmë Abdilaqim Ademin si një përkrahës të përparimit të arsimit të lartë në Maqedoni, mik të Universitetit të Tetovës, i cili është i lidhur me historinë e universitetit tonë prej para zyrtarizimit, duke qenë i angazhuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në përpilimin e Ligjit për legalizimin e Universitetit të Tetovës, ndërsa si asistent në Qendrën e Studimeve Politeknike dha kontribut të drejtpërdrejtë në ngritjen e saj. Si ish-ministër i arsimit, e ka nderuar pa hezitim institucionin tonë, duke na u bashkëngjitur në shënimin e ngjarjeve më të rëndësishme të universitetit, duke lobuar në qarqet arsimore dhe shkencore për rëndësinë e avancimit të arsimit në përgjithësi, por sidomos arsimit në gjuhën shqipe. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, i hartuar në koordinim me udhëhqësinë e universitetit, me të cilin ndryshoi emri i universitetit, nga Universitet Shtetëror i Tetovës në Universiteti i Tetovës, duke u themeluar njëkohësisht edhe Fakulteti Pedagogjik dhe Fakulteti të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë e mban nënshkrimin e tij. Sot, kur gjendemi në prag të finalizimit të konviktit të studentëve të universitetit tonë, nuk duhet harruar se pikërisht në këtë kohë filloi kjo iniciativë”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

“Ne të gjithë e kemi njohur Abdilaqim Ademin si njeri i politikës, njeri i sfidave dhe njeri i zgjidhjes së problemeve politike, ndëretnike, ekologjike dhe arsimore, ndërsa, anën shkencore të tij e kanë ditur vetëm rrethi i ngushtë i shokëve dhe i kolegëve të tij. Abdilaqim Ademi ka qenë një arsimdashës i madh, studiues dhe shkencëtar në zanafillë, i cili premtonte shumë, me dashuri të madhe ndaj shkencës dhe me vullnet të pashoq për ngritjen e kuadrove të mirëfillta shkencore, me ide të shumta për realizimin e këtyre dëshirave dhe padyshim që do të arrinte një nga një t’i realizojë, sikur sëmundja e rëndë mos t’ia kishte ndalur hapin”, tha redaktori, Prof. Dr. Hamit Mehmeti.

Këtë ngjarje e përshëndeti edhe veprimtari nga Kosova, Ismet Sulejmani, mentori i autorit të librit, Prof. Dr. Aleksandar Dimitrov, si dhe Mr. Pishtar Lutfiu, si dhe përfaqësues i Qendrës Analitike – Hulumtuese, “Abdilaqim Ademi”.

Abdilaqim Ademi lindi më 20 dhjetor të vitit 1969 në fshatin Shemshovë. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, më pas e vazhdoi shkollimin e mesëm në Gjimnazin e Tetovës.

Studimet i filloi në Mitrovicë, por për shkak të ngjarjeve të asokohshme, studimet i vazhdon në Tiranë, në Fakultetin Politeknik të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1996 merr titullin Inxhinier i metalurgjisë.

Ai po ashtu, pas legalizimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 2004 emërohet asistent në Fakultetin e Ndërtimtarisë. Në vitin 2018, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup i regjistroi studimet pasuniversitare të doktoratës, por nuk arriti ta mbrojë disertacionin.

Ndërroi jetë më 16 shkurt të vitit 2018.