Gjykimi për rastin “Llaskarca”, Zekiri nuk paraqitet, ishte me tension të lartë
Eksperti Zekirija Zekiri...

Eksperti Zekirija Zekiri, që duhet të të prezantonte super ekspertizën për tragjedinë në Llaskarcë, për herë të tretë nuk u paraqit në seancë, kësaj radhe me arsyetim mjekësor për tension të lartë të gjakut.
Gjykatësja Diana Gruevska vendosi ta vazhdojë seancën edhe në mungesë të tij, madje ironizoi se edhe ajo është përplasur e ka lënduar kokën, por gjykimi nuk duron më shtyrje.
Prokuroria: Arsyetim joserioz, ai është paraqitur në punë
Pasi një nga familjarët e viktimave tha se arsyetimi nuk është i vërtetë pasi e ka parë fizikisht ekspertin para qendrës tregtare “Mavrovka” në Shkup, prokurori publik Darko Jakimovski kërkoi nga Gjykata që të dorëzojë në prokurori të gjitha dokumentet që kanë shërbyer si arsyetim për mungesën e ekspertit.
Prokurori përkujtoi se koncepti i ekspertizës bazohet pikërisht në dëshminë e ekspertit, Zekiria Zekiri.
“Kërkoj të gjitha dokumentet që shërbyen si justifikim për mungesën, sepse sipas njohurive të mia, gjatë kësaj kohe ai është paraqitur në vendin e punës. Mendoj se kjo nuk është karakteristikë e një eksperti profesionist dhe vërej se u kërcënohet e drejta e marrjes në pyetje të palëve në proces.” – tha Prokurori Publik, Darko Jakimovski.
Gjykatësja kërkoi që prokuroria të marrë në pyetje ekspertët e tjerë që kanë nënshkruar superekspertizën, e para ishte Jovanka Savova, ekspertja e vetme nga Byroja e ekspertizës mjeko-ligjore.
Prokuroria konstatoi gabime të shumta në aktin e ekspertimit, ku ndër të tjera thuhet se i njëjti është kërkuar nga Gjykata Civile në vend të Gjykatës Penale.
Ka edhe gabime në data, pasi në raport qëndron marsi 2021, megjithëse supereskpertiza është kërkuar 8 muaj më pas, pra në tetor.
Të akuzuar për aksidentin tragjik më 13 shkurt 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe mbi 30 mbetën të plagosur rëndë, janë pronari i kompanisë “Durmo Tours” Durmish Beluli, personi përgjegjës për transportin në kompani Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion.
Për të njëjtën vepër akuzohen tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski. (Ersan Pajaziti, TVM2)
