15 vjet Kosovë e pavarur, Qehaja: Kemi vizion të përbashkët me RMV-në

16.02.2023 21:20

Në prag të përvjetorit të 15 të pavarësisë...

Në prag të përvjetorit të 15 të pavarësisë, ambasada e Kosovës në Shkup, zhvilloi pritjen tradicionale. Ambasadori  Qehaja falenderoi të gjitë ata që kontribuan për pavarësinë, mijëra qytetarëve që flijuan gjithçka, edhe jetën për këtë ditë, dhe politikanëve që trasuan rrugën e shtetit të pavarur.

Falenderim edhe për faktorin ndërkombëtar dhe Maqedoninë e Veriut, jo vetëm për pritjen e refugjatëve gjatë luftës në Kosovë, por edhe për bashkëpunimin aktual.  

“Në aspektin ekonomik ne kemi rritje progresive, ndërsa numri i investimeve të huaja direkte është rritur. Ndërlidhja me Maqedoninë e Veriut është organike, bazuar në premise historike, mbi të gjitha na bashkon vizioni i palëkundur për integrime euroatlantike. Në fushën e bashkëpunimit tregtarë dhe ekonomik, ne kemi rritje të madhe. Rritja e investimeve direkte  nga Kosova në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas. Ky bashkëpunim besoj se do të thellohet, presim përfundimin e autostradës Bllacë –Shkup dhe krijimin e pikave të përbashkëta kufitare, që do ta lehtësojnë  qarkullimin e njerëzve dhe mallrave” – u shpreh Ambasadori i Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Florian Qehaja.

Maqedonia e  Veriut e ka njohur  pavarësinë e  Kosovës më 9 tetor të vitit 2008. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)