Botë

15 vjet shtet, rrugëtimi dhe përpjekjet për Kosovën e lirë

17.02.2023 09:33

Sot bëhen 15 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008...

Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. 
Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me heqjen e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi. Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
 
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, duke u hequr  autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Heqja e  autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.
 
Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e cilësonte Kosovën Republikë. Deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik. Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991.
 
Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Ibrahim Rugova u zgjodh  president i Republikës së Kosovës dhe formoi qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje.
 
Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosova u la anash, në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryenin mbi popullatën civile shqiptare.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizoi një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë. Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmuan  fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.
 
Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Më 6 shkurt filloi Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaroi më 23 shkurt, pa rezultate përfundimtare. Kështu që u thirr vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris.
 
Ndërkohë që delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzoi  ta nënshkruajë. Me këtë veprim, u hap  rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Nga 24 marsi deri më 10, 12 qershor të vitit 1999, filloi  historia e re e Kosovës. NATO bombardoi pikat nevralgjike  ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.
 
Më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviçi nënshkroi  kapitullimin dhe NATO u fut në Kosovë. Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, në bazë të një kompromisi ndërmjet Perëndimit e Rusisë, miratoi Rezolutën 1244, me të cilën u vendos Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
 
Nga kjo periudhë, në Kosovë filloi  të ndërtohet gjithçka nga fillimi. Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë u mbajtën tri palë zgjedhje në të dyja nivelet. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formoi qeverinë e parë dhe zgjodhi  presidentin dhe kryeministrin.
 
Kosovës iu deshën 9 vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare duke përjashtuar Rusinë. Negociatat Prishtinë-Beograd, nën ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë.