LSDM, nga e hëna fillon publikimin e “bombave”

06.02.2015 21:19

LSDM vendosi. Nga e hëna Kryesia e LSDM-së do të fillojë me publikimin e dëshmive për keqpërdorime sistematike të pushtetit...

Këshilli Qendror i kësaj partie njëzëri miratoi propozimin e kryetarit të saj, mbledhjen e sontme. Projekti do të mbajë emrin “E vërteta për Maqedoninë”, ndërsa për zbatimin e tij, Këshilli Qendror i kësaj partie ka autorizuar kryesinë e partisë.

“Autorizohet kryesia e LSDM-së që të fillojë publikimin e dokumenteve të cilat dëshmojnë përgjimin sistematik të paligjshëm të mijëra qytetarëve, kontrollin e plotë dhe keqpërdorimin e institucioneve shtetërore dhe gjyqësore, mashtrimet dhe shkeljet zgjedhore dhe aferat korruptive të përfaqësuesve më të lartë shtetërorë” – ka konkluduar  Këshilli Qendror  i LSDM-së, sipas së cilit publikimi i këtyre dokumenteve është ka për qëllim kthimin e lirisë dhe demokracisë në Maqedoni.

“Këto dokumente konfirmojnë qëndrimet e LSDM-së dhe të një pjese të madhe të faktorit ndërkombëtar për presion të madh ndaj mediave dhe fjalës së lirë, kontroll i plotë i institucioneve shtetërore, nga ana e partisë në pushtet, gjyqësi e diktuar nga partia dhe shkelje e sundimit të së drejtës” – konstaton partia e Zaevit.

Askush nuk ka të drejtë të pengojë publikimin e materialeve që dëshmojnë krimin dhe keqpërdorimin nga Qeveria, vlerëson Këshilli Qendror  i LSDM-së duke u bazuar në Kushtetutën dhe Ligjet në Maqedoni.

Opozita maqedonase ka ka përshëndet përkrahjen politike dhe solidaritetin që kanë shprehur partitë e majta socialiste evropiane, të cilat i dhanë përkrahje LSDM-së në këtë proces, përmes një deklarate. (Shpëtim Nuredini, TVM2)