Maqedoni
Perspektiva europiane e RMV-së, Ademi: VMRO të reflektojë “pro” ndryshimeve kushtetuese
19.02.2023 13:55
Partitë politike shqiptare njëzëri janë shprehur se do ti mbështesin ndryshimet Kushtetuese....

Partitë politike shqiptare njëzëri janë shprehur se do ti mbështesin ndryshimet Kushtetuese, qoftë nga pozita e të qenurit pjesë e pushtetit apo në opozitë. Numri i deputetëve të LSDM-së sëbashku me deputetët shqiptarë të gjithë së bashku nuk mjafton që të arrihen 2/3 e votave, thotë për TVM2 analisti politik Visar Ademi. Ai thotë se domozdoshmërisht nevojiten akoma deputet për sigurimin e të cilëve duhet të përkujdeset pushteti.
“Tek shqiptarët nuk ka diskutim, a është opozitë apo pozitë, është e majtë apo e djathtë, dhe kështu njëzëri duhet të votojnë, dhe këtë e kanë deklaruar edhe vet partitë politike shqiptare. Në ndërkohë problematike është vetëm roli i partive politike nacionaliste maqedonase të djathta siq është VMRO-DPMNE dhe Levica.”, tha për TVM2 analisti politik Visar Ademi.
Analisti Visar Ademi shpalos dy opsione të cilat sipas mendimit të tij mund të çojnë deri te numri i nevojshëm prej 80 deputetëve, dhe ato dy opsione janë: e para, të bindet lidershipi i VMRO-DPMNE-së e integrimi në BE është alternativa e vetme, ose disa deputet të opozitës të cilët janë “pro” fillimit të negociatave me BE-në të votojnë ndaras nga qëndrimi i përbashkët partiak.
“Do të duhet që brenda kampit maqedonas ose të çahet një trung i deputetëve të cilët deklarativisht janë për BE, ose të bindet menaxhmenti dhe udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së se kjo është e vetmja mënyrë, në qoftë se nuk duan që të izolohet partia. Kjo do të jetë e vetmja mënyrë për ti bërë presion dhe trysni VMRO-DPMNE-së me qëllim që të reflektojë, sepse në të kundërtën ato nuk do ta shohin pushtetin edhe një kohë të gjatë. RMV tanimë e ka marrë një drejtim drejt BE-së, dhe kjo rrugë nuk ka kthim mbrapa.”, tha Ademi.
Çdo eksperimentim me të ardhmen europiane të vendit konsiderohet si tezë e rrezikshme andaj këtë duhet që një ditë e më parë ta kuptojnë edhe euroskeptikët e etnisë, shton Ademi sipas të cilit shnaci të cilin e ka në duart e veta shteti nuk guxon që ta lëshojë.
FITIM KRYEZIU
