Maqedoni
Punonjësit e shëndetësisë protestojnë nëse të hënën nuk i marrin pagat
19.02.2023 15:21
Javën e ardhshme pritet protestë e përgjithshme nga të punësuarit e sektorit shëndetësor...

Javën e ardhshme pritet protestë e përgjithshme nga të punësuarit e sektorit shëndetësor, këtë do ta vendosin të hënën anëtarët e Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale. Revolti më i madh i u shpreh sidomos për mosmarrjen e pagave të janarit, por edhe nga mosrealizimi i premtimeve tjera ndaj punjonjësve shëndetësorë. Edhe Sindikata e Klinikës është e të njëjtit mendim dhe thotë se nëse deri të hënën nuk i marrin pagat atëherë të mërkurën do të dalin në protesta.
“Ne thamë që do ta respektojmë kërkesën e drejtoreshës së fondit, sepse ajo premtoi që deri të hënën rrogat do te lëshohen në qendrat klinike, ne këtë do ta respektojmë, nëse kjo nuk ndodhë deri të hënën, atëhërë ne të martën do të mbajmë mbledhje me bordin ekzekutiv dhe këshillin e sindikatës dhe sipas të gjitha gjasave të mërkurën do të dalim në protesta ta shprehim pakënaqësinë e gjithë kësaj situate. Revolti vërehet te të gjithë punonjësit shëndetësorë, sepse ne të gjithë shkojmë në punë për atë rrogë, që atë ta çojmë në shtëpi, sepse edhe ne kemi kredi dhe harxhime tjera, rrymë për të paguar, ngrohje dhe shpenzime të tilla që nuk presin gjatë.”, u shpreh një doktor.
Një pjesë e të punësuarve në Spitalin “8 shtatori” pushimin e ditës së hënë prej orës 13 deri në orën 13 e 30 do ta shfrytëzojnë për protestë, por nuk do ta pengojnë procesin e punës. Ndërkohë reagojnë nga VMRO- DPMNE për shkak se në gjysmën e muajit janar u hasën probleme në përdorimin e sistemit të shëndetësisë. Kërkon të bëhet një zgjidhje, sepse qytetarët nuk mund ti marrin ilaçet e tyre me recetë, pushimi mjekësor nuk po u paguhet dhe të punësuarit nuk po i marrin pagat e tyre.
“Të dy drejtorët e Fondit të Sigurimit Shëndetësor nuk po shihen në publik, njëri shëtit jashtë shtetit, po pikërisht ai i cili në biografinë e tij ka përmendur se ka aftësi të avancuara në sektorin e teknologjisë IT. Përvec këtyre të dyve, as gjurmë as zë nga 9 drejtorët e sektorit si dhe nga 7 anëtarët e Bordit udhëheqës të Fondit të Shëndetit Publik”. thonë nga VMRO-DPMNE.
Ende nuk dihet se si do të paguhen rrogat e punonjësve të shëndetit publik, do të bëhen përmes Fondit apo do të ndahen nga buxheti i Ministrisë së Finacave. U bënë 2 javë që autoritetet e Fondit nuk paraqiten publikisht të shpegojnë se kur do të zgjidhet ky problem për ta.
FITORE DEMOLLI
