Botë
Biden për vizitë në Kiev, premton ndihmë të re amerikane për Ukrainën
20.02.2023 13:59
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, arriti për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, arriti për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev. Kjo është vizita e parë e presidentit amerikan në Ukrainë, pas nisjes së pushtimit rus. Vizita u realizua nën masa të rrepta të sigurisë, ndërsa nuk munguan edhe sirenat paralajmëruese të cilat prej një viti i dëgjojnë ukrainasit në rast të sulmeve ruse.
Biden në Kiev u prit nga homologu i tij ukrainas Volodymyr Zenensky, të cilit i premtoi ndihmë të re amerikane prej 500 milion dollarësh si dhe sanksione të reja ndaj Rusisë. Presidenti amerikan tha se ndodhet në Kiev për të konfirmuar angazhimin e palëkundur të ShBA-së "ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës".
“Para një viti, në këtë kohë, derisa bisedonim në telefon i nderuar president, ishte natë në Uashington dhe herët mëngjes në Kiev. Aeroplanë rus ishin në ajër dhe tanket po kalonin kufirin. Atë natë të errët para një viti bota përgatitej për rënien e Kievit. Një vit pas, Kievi dhe Ukraina po qëndrojnë, po qëndron edhe demokracia. Amerikanët dhe bota qëndrojnë me ju. Kur presidenti rus, Vladimir Putin nisi pushtimin gati një vit më parë, ai mendoi se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i përçarë. Ai mendoi se mund të na mposhtë, por e kishte gabim.”, - u shpreh presidenti i ShBA-ve, Joe Biden.
Ai shtoi se ShBA-ja po përgatit një dërgesë të re të "pajisjeve kritike" për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore. Vizita e Bidenit vjen në kohën kur forcat ruse janë duke sulmuar rëndë pozicionet ushtarake dhe vendbanimet civile në Ukrainën lindore dhe jugore. Rusia kreu dhjetë sulme raketore dhe 25 sulme ajrore në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donjeckut, si dhe në rajonin jugor të Zaporizhjes, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin e tij të përditshëm.
SANIJE DURAKI
