Kulturë

Çmimet BAFTA, dokumentari më i mirë - “Navalny”

20.02.2023 14:43

Dokumentari Navalny, me regji nga kanadezi Daniel Roer, fitoi çmimin BAFTA

Dokumentari Navalny, me regji nga kanadezi Daniel Roer, fitoi çmimin BAFTA nga Akademia britanike e Filmit, si dokumentari më i mirë.
 
Filmi, që u shpërblye me këtë çmim gjatë një ceremonie dje në Londër, tregon historinë e politikanit opozitar rus, Alexei Navalny, tani të burgosur.
 
Aty tregohen ngjarjet lidhur me helmimin e tij në gusht të vitit 2020, përfshirë këtu edhe trajtimin dhe rehabilitimin e tij në Gjermani, tentimet e tij për ta hetuar incidentin dhe arrestimin e tij kur u kthye në Moskë.
 
Navalny, i cili ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore në gusht të vitit 2020, fajëson zyrtarët rusë të sigurisë për helmimin e tij, me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin. Ai është dënuar fillimisht me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, dhe më pas i janë shtuar edhe nëntë vjet më shumë, me arsyetimin e mashtrimeve. Vetë Navalny i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe i konsideron ato të motivuara politikisht.
 
Filmbërësit ia dedikuan filmit familjes së Navalnyt dhe gazetarit hulumtues bullgar, Christo Grozev, të cilin Rusia e ka futur në listë kërkimi që nga dhjetori. Grozev tha të premten se atij i ishte ndaluar pjesëmarrja në BAFTA nga policia britanike për arsye sigurie, por policia e Londrës, tha se nuk ia kishin ndaluar hyrjen askujt, e vendimet lidhur listën e pjesëmarrësve u takojnë organizatorëve të eventit.
 
Filmi për kritikun e Kremlinit, nuk është shfaqur publikisht në Rusi.