Maqedoni
Kuvend, vazhdon diskutimi për shkarkimin e ministrave
20.02.2023 15:49
Kuvendi vazhdoi diskutimin për rikonstruimin e Qeverisë, përkatësisht për shkarkimin e ministrave nga radhët e Alternativës....

Kuvendi vazhdoi diskutimin për rikonstruimin e Qeverisë, përkatësisht për shkarkimin e ministrave nga radhët e Alternativës. Opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE-së konsideron se riformatimi nuk është zgjidhje, pasi sipas tyre, Qeveria është e përfshirë në skandale, prandaj vetëm zgjedhjet i shohin si zgjidhje. Edhe në javën e dytë të diskutimit VMRO vazhdoi bllokimin aktiv të Kuvendit me fjalime dhe replika.
“Do të ishim shumë të lumtur nëse ky ministër për shëndetësi dhe ai për shoqëri informatike dhe administratë do të shkarkoheshin për këto skandale. Por jo, nuk shkarkohen për këto arsye, por shkarkohen që Qeveria të fitojë edhe pak kohë, të ndërrojnë dresin edhe disa personalitete partiake, përkatësisht të vijë në pushtet një parti e re dhe do të mbijetojnë në pushtet edhe disa muaj. Dua të pyes publikisht. A pamë diçka më mirë me ndërrimin e ministrave në periudhën e kaluar?!”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.
LSDM hodhi poshtë pretendimet e VMRO-DPMNE-së. Rikujtoi këtë të fundit për mënyrën e qeverisjes së tyre dhe skandalet që karakterizuan atë.
“E bëtë MPB-në në MPB VMRO; përgjuat mbi 20 mijë qytetarë, mes tyre edhe gazetarë; i latë punëtorët e kompanive në falimentim që të kërkojnë nëpër koshat e plehrave dhe të qajnë për një copë bukë; studentët i rrihnit nëpër leximore; i vodhët qytetarët; krijuat histori të re të bazuar në mite; kujdeseshit më shumë për përmendoret se sa për njerëzit e gjallë.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.
Përderisa VMRO-DPMNE dhe LSDM akuzonin njëra tjetrën për skandale në qeverisje, deputetët e Alternativës mbrojtën punën e ministrave nga radhët e partisë së tyre.
“Ministri Haliti ka punuar në të gjitha sferat sa i përket ministrisë, si në sferën e digjitalizimit, administratës publike dhe mediave. Ka krijuar dy strategji kryesore për sa i përket digjitalizimit, gjegjësisht ka arritur të draftojë strategjinë nacionale për siguri kibernetike 2023-2027 dhe strategjinë nacionale të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit 2023-2027, të cilat janë kyçe për nga rëndësia dhe jetike për zhvillimin digjital dhe sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve.”, - U shpreh deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini.
Paraprakisht është ezauruar diskutimi për shkarkimin e ministrit të shëndetësisë, Bekim Sali ndërkaq, pas përfundimit të diskutimit për shkarkimin e ministrit për shoqëri informatike dhe administratë Admirim Aliti do të fillojë diskutimi për shkarkimin e ministrit për diasporë, Xhemail Çupi.
SHPËTIM NUREDINI
