Maqedoni

Fondi për sigurim shëndetësor zgjidh problemin, sindikatat në protesta, kërkojnë pagën e janari

20.02.2023 16:07

Sistemi i Fondit Shëndetësorë është rikthyer në funksion pas sulmit të hakerëve dhe kanë nisur pagesat..

Sistemi i Fondit Shëndetësorë është rikthyer në funksion pas sulmit të hakerëve dhe kanë nisur pagesat e pushimit të lehonisë, rimbursimeve të ndryshme dhe pushimeve të tjera mjekësore. 
 
“Pritet që të siguruarit të marrin mjetet në llogaritë e tyre gradualisht gjatë ditës së nesërme dhe të mërkurës. Kjo do të thotë se menjëherë do të fillojë pagesa e pushimit mjekësor që i ishin futur deri më 5 shkurt 2023. Të dhënat për pushimet mjekësore të dorëzuara pas kësaj date do të fillojnë të futen në shërbimet rajonale që edhe ato të hyjnë në sistem për pagesë të rregullt.”, bëjnë të ditur FSSh.
 
Deri sa Fondi për sigurim shëndetësor paralajmëron zgjidhjen e problemit me pagat, sindikata paralajmëron protesta për të mërkurën. Shprehin pakënaqësinë për pagën e papaguar të janarit dhe kërkojnë rritjen e pagave. 
 
“Vendimin që e miratoi Këshilli i Sindikatës të pavarur për shëndetësi për protestë të mërkurën ka të bëjë me shprehjen e pakënaqësisë sonë për mospagesën e pagave dhe refuzimin e nënshkrimit të ankesës për rritjen e pagave. Vetë vonesa e pagesës së rrogës rriti pakënaqësinë e punonjësve shëndetësor duke pasur parasysh edhe pakënaqësinë e mosrritjes së pagave për këtë sektor.”, - deklaroi kryetari i sindikatës të pavarur për shëndetësi dhe farmaci, Lubisha Karanfillovski.
 
Mjekë, infermierë, teknikë, së bashku dolën  në  protestë paralajmëruese. Ata shprehën revoltën  gjatë pauzës dhe potencuan  se pa të ardhura  nuk mund të paguajnë nevojat mujore. Nëse nuk ka rrogë, paralajmëruan protestë të përgjithshme.
 
“Kërkojmë nga autoritetet që të paguajnë sa më shpejt pagën e merituar të janarit dhe gjithashtu kërkojmë që kjo të mos ndodhë më. Këtë e perceptojmë si një lloj mosrespektimi për punëtorët shëndetësorë, të cilët siç e dini e kanë bartur mbi supe të gjithë barrën e krizës me Covid-19.”, - theksoi patologia nga klinika e onkologjisë, Biljana Ognenoska.  
 
Edhe punëtorët shëndetësorë nga Geriatria kërkojnë rritje të të ardhurave personale me 20 për qind, si dhe rregullim të pagave. Ata kërcënuan se do të bllokojnë kryeqytetin.
 
“Do të bllokojmë Shkupin në hyrje të Gjorçe Petrovit dhe nga Autokomanda dhe do të bllokojmë Qendrën. Të enjten paralajmërojmë bllokadë të Shkupit nga Sindikata e Pavarur dhe organizatat e tjera sindikaliste në tërë Shkupin, nëse qeveria dhe deputetët do ta lejojnë  bllokimin e  Shkupit  dhe t'ua drejtojnë gishtin atyre, le të vazhdojnë të neglizhojnë punën.”, - u shpreh kryetari i Sindikatës të pavarur të geriatrisë, Llazo Kostovski.
 
Nga Fondi Shëndetësor po ashtu kanë bërë të ditur se edhe sistemi termini im është kthyer në funksion pas sulmit sajber të dy javëve më parë. Të gjithë punonjësit shëndetësorë tani kanë qasje në sigurimet e pacientëve. 
 
FLUTURA LATIFI