Maqedoni

Shpenzimet rrugore të deputetëve, Grkovska: Kuvendi duhet të reagojë

20.02.2023 16:43

Zëvendëskryeminstrja e ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska...

Zëvendëskryeminstrja e ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, thekson se nuk është kompetente për të kontrolluar dhe konstatuar, nëse janë të sakta informacionet se një numër i konsiderueshëm i deputetëve në Kuvendin e RMV-së, kanë banesa në Shkup dhe njëkohësisht marrin shuma të konsiderueshme për shpenzime rrugore.
 
Sipas saj është Kuvendi që duhet të reagojë dhe të pamundësojë keqpërdorimet e mundshme.
 
“Për fat të keq jo. Kuvendi është pushtet legjislativ që është i pavarur nga pushteti ekzekutiv. E dini që Kuvendi e zgjedh Qeverinë dhe praktikisht ai është punëdhënësi im. Dua të them se kur bëhet fjalë për shpenzimet rrugore nuk ka Ligj të veçantë për deputetët, është një Ligj për funksionarë të zgjedhur dhe të emëruar dhe rregullat janë të njëjta për të gjithë. Nëse ka keqpërdorime, unë nga pozita ime nuk mund të them asgjë, e as që i kam detajet, megjithatë, Kuvendi duhet të reagojë dhe të mbledhë forcë që keqpërdorimet e tilla, nëse ka, t’i zvogëlojë në minimum apo aspak të mos ekzistojnë. Të gjej mënyrë se si t’i sanksionojë ata që janë të papërgjegjshëm.”, - theksoi zëvendëskryemisitrja e ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska.
 
Sa i përket problemeve të shkaktuara në Fondin për sigurim shëndetësor dhe mungesën e paraqitjes televizive të udhëheqësisë për të dhënë shpjegime më të hollësishme për opinionin, Grkovska thekson se është vlerësim i drejtoreshës se kur do ta bëjë atë. Sipas saj, Fondi ka qenë transparent me publikimin e vazhdueshëm të kumtesave.
 
“Duke i pasur parasysh rrethanat dhe për çka bëhet fjalë, vlerësim i institucionit është se në çfarë mënyrë është më mirë të komunikojë me publikun. Ka pasur kumtesa të rregullta dhe publikut nuk i është shkurtuar mundësia të dijë se çfarë po ndodh atje. Nevoja dhe kërkesa nga ana e publikut që drejtoresha të dalë në press konferencë dhe të shpjegojë situatën, mendoj se është vlerësim i drejtoreshës se kur do ta bëjë atë. Transparenca e institucioneve ndaj qytetarëve është obligim.”, - deklaroi zëvendëskryeminstrja e ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska.
 
Ndërkohë, sot u promovua Udhëzuesi për përmirësimin e transparencës në sektorin publik, përmes së cilit Qeveria do të obligon institucionet publike që në web faqet e tyre në mënyrë transparente të publikojnë të dhëna të karakterit publik që përfshijnë 36 fusha me interes për publikun.
 
“Çdo qytetarë ka të drejtë të shohë se si funksionon sistemi, si menaxhohen me buxhetin e shtetit, me këtë do të detektohen edhe të gjitha dobësitë dhe lëshimet dhe të alarmohet për të njëjtat.”, tha Grkovska.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI