Maqedoni

VMRO-DPMNE: Vëllai i Grubit me pronë gjysmë milionëshe

20.02.2023 17:37

VMRO – DPMNE akuzon familjen e zëvendëskryeministrit Artan Grubi për posedim të pronës afariste në qendër të Shkupit...

VMRO – DPMNE akuzon familjen e zëvendëskryeministrit Artan Grubi për posedim të pronës afariste në qendër të Shkupit në vlerë prej gjysmë milioni euro. Nga partia e Mickoskit hapin dilemat dhe kërkojnë llogari se si vëllai i zëvendëskryeministrit Artan Grubi ka blerë pronën.
 
“Kjo hapësirë afariste prej 127 m2, sipas evidencës së kadastrës është pronë e Veton Grubit, vëlla i Artan Grubit. Metër katrori i këtij lokacioni  lëviz midis 3 deri në 4 mijë euro, që nënkupton se objekti i Grubit kap vlerën prej 500 mijë euro. Artan Grubi të përgjigjet se si vëllai i tij Veton Grubi ka blerë këtë pronë dhe me çfarë parash? Gjithashtu të thotë se gjatë blerjes së pronës a është shfrytëzuar fuqia  dhe ndikimi i tij politik?”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Mile Lefkov.
 
Duke reaguar ndaj akuzave të tilla vet zëvendëskryeministri Grubi i ka vlerësuar ato shpifje, të cilat i ka pritur si figurë publike.
 
“Do të përballem me fushatën nxitëse dhe shpifëse, në media e në gjyq, por nuk e besoja se kaq të ulët mund të jeni, me sulme ndaj familjarëve të mi pa asnjë bazë e pa asnjë arsye, të cilët veprojnë në sektorin privat shumë më herët se sa unë t’i bashkëngjitëm politikës.”, ka thënë Grubi në reagimin e tij. 
 
BDI: VMRO, parti kriminele me politika raciste
 
Kanë reaguar edhe nga partia e Ahmetit, sipas të cilëve është pikërisht VMRO - DPMNE parti kriminele, e cila përhap politika raciste ndaj shqiptarëve duke garuar me partinë E Majta e Apasiev.
 
“Kryetarët e komunave të kësaj VMRO-DPMNE të Mickoskit potencojnë se kanë udhëzime nga Mickoski, i njohur si “shpicen komandant”, që të mos lëshojnë vërtetime për legalizimin e shtëpive të shqiptarëve në komunat e tyre në përputhje me ligjin dhe nën asnjë kusht të mos angazhojnë kompani të shqiptarëve në komunat e tyre, si dhe të mos lëshojnë leje ndërtimi për shkak të politikave demografike raciste. VMRO-DPMNE e Mickoskit është sinonim i korrupsionit, bllokadës dhe pengmarrjes, këtë e vërtetoi Gjykata.”, thuhet në reagimin e BDI-së. 
 
Sipas partisë së Ahmetit, korrupsion më i madh është të mbash vendin dhe popullin në izolim dhe në tensione të vazhdueshme ndëretnike, duke i parë shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë, e të cilët nuk duan ti shohin në poste të larta shtetërore andaj edhe i sulmojnë me shpifje, gënjeshtra, trillime, pa asnjë fakt apo argument. Integristët ftojnë anëtarët e VMRO-DPMNE-së të distancohen nga këto politika raciste dhe izoluese, anti-NATO dhe anti-BE.
 
MERAL ISMAILI