Putin: Ukraina dhe Perëndimi e filluan luftën

21.02.2023 12:08

Presidenti rus, Vladimir Putin...

Presidenti rus, Vladimir Putin, në prag të njëvjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë, ka fajësuar Ukrainën dhe perëndimin për fillimin e luftës.

Sipas Putin “Gjithçka ishte përgatitur nga Kievi për të nisur një sulm në Donbas”. “E gjithë kjo ishte krejtësisht kundër parimeve dhe rregullave nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Do të doja të përsërisja, ata filluan luftën dhe ne përdorëm forcën për ta ndalur atë”, tha Putin.

Ai tha se objektivi i perëndimit ishte fuqia e pakufizuar dhe se Sevastapoli ishte padyshim objektivi i radhës pas Donbasit. 

Putin tha Perëndimi do të përdorë këdo, terroristë, nazistë, “madje edhe vetë djallin” për të luftuar kundër Rusisë.

Putin, është zotuar se do të vazhdojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e ka akuzuar aleancën e NATO-s për nxitje të konfliktit, me “besimin e gabuar” se mund ta mposhtë Rusinë.

Putin ka thënë se Rusia ka bërë gjithçka për ta shmangur luftën, mirëpo Ukraina, e përkrahur nga Perëndimi, ka planifikuar që ta sulmojë Krimenë. Sipas tij “Vetë njerëzit e Ukrainës janë kthyer në pengje të regjimit të Kievit dhe organizatorëve perëndimorë, të cilët e kanë pushtuar këtë shtet në aspektin politik, ushtarak dhe ekonomik”.

Putin e ka përsëritur qëndrimin se Rusia po përballet me kërcënim nazist dhe kërcënime e urrejtje nga regjimi i Kievit. Por, sipas tij, mposhtja e Rusisë është e pamundshme.