Rusia pezullon pjesëmarrjen në traktatin e ri të armëve bërthamore

21.02.2023 13:12

Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START....

Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START për reduktimin e armëve bërthamore. Presidenti Vladimir Putin, theksoi se Moska nuk tërhiqet nga marrëveshja, por po pezullon pjesëmarrjen e saj.

Sipas traktatit kyç të kontrollit të armëve bërthamore si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia lejohen të kryejnë inspektime në vendet e armëve të njëri-tjetrit, por inspektimet janë ndërprerë që nga viti 2020 për shkak të pandemisë Covid-19.

Megjithatë, traktati i ri START është ende në fuqi pasi një marrëveshje e mëparshme midis Moskës dhe Uashingtonit e zgjati atë deri më 4 shkurt 2026.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Rusia ka refuzuar vazhdimisht të lejojë inspektimet e objekteve të saj bërthamore.

“Rusia nuk është në përputhje me detyrimin e saj sipas Traktatit të Ri START për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit në territorin e saj”, u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Refuzimi i Rusisë për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit i pengon Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë të drejta të rëndësishme sipas traktatit dhe kërcënon qëndrueshmërinë e kontrollit të armëve bërthamore SHBA-Rusi, transmeton CNN.

Traktati vendos kufizime ndaj numrit të armëve bërthamore të vendosura me rreze ndërkontinentale që mund të kenë si SHBA ashtu edhe Rusia.

Ai u zgjat për herë të fundit në fillim të vitit 2021 për pesë vjet, që do të thotë se të dy palët së shpejti do të duhet të fillojnë negociatat për një marrëveshje tjetër për kontrollin e armëve.

Një sesion i Komisionit Konsultativ Dypalësh mbi traktatin ishte planifikuar të zhvillohej në Egjipt në fund të nëntorit, por u anulua papritur.