Maqedoni

Parandalimi i kancerit të qafës së mitrës, ngritja e vetëdijes për imunizim dhe kontrolle

21.02.2023 14:44

Ndërgjegjësimi i publikut për vaksinat HPV, si dhe nevoja për kontrolle masive është parandalimi më i mirë për mbrojtje...

Ndërgjegjësimi i publikut për vaksinat HPV, si dhe nevoja për kontrolle masive është parandalimi më i mirë për mbrojtje nga kanceri i qafës së mitrës u theksua në panel diskutimin me temë
 
“Ç’rrënjosja e kancerit të qafës së mitrës – Si të promovohet shëndeti i grave dhe vajzave në Maqedoninë e Veriut?”. Komision nacional do të zbatojë të gjitha protokollet e OBSh-së që deri në vitin 2030, 90 % e grave të mbulohen nga ekzaminimi, 70% e vajzave të reja të moshës 12 deri në 14 vjeç të imunizohen dhe 90 për qind e të gjitha lezioneve të zbuluara herët në qafën e mitrës të trajtohen. 
 
“Do të japim kontribut që t’i përfshijmë të gjithë ato që deri më tani nuk kanë qenë të përfshira në skrining. Për fat të keq kjo përqindje deri më tani është shumë e vogël, por jemi duke bërë përpjekje të mëdha, ndërsa edhe shteti ka ndarë mjete të shumta për këtë qëllim.”, - deklaroi dr. Marjan Stojvski nga komisioni për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. 
 
“Me një kontroll të thjeshtë dhe jo të dhimbshme pacientët mund të shpëtohen, gjegjësisht ta parandalojnë ose ta detektojnë në fazë shumë të hershme, kur do të kenë mundësi të shërohen dhe njëkohësisht t’i ruhet fertiliteti apo funksioni reproduktiv që do të thotë se në të ardhmen mund të lindin.”, - theksoi drejtoresha e klinikës së gjinekologjisë, dr. Marija Jovanovska. 
 
Kryetarja e komisionit për imunizim theksoi se është planifikuar që deri në vitin 2030, 95 për qind e popullsisë që i takon grupi për t’u vaksinuar, të imunizohet.
 
“Kjo vaksinë krahas asaj që mbron nga infeksioni HPV parandalon zhvillimin e kancerit. Është e rëndësisë së veçantë që para se të jenë seksualisht aktive duhet ta pranojnë këtë vaksinë, sepse në 97 për qind mbron.”, - u shpreh kryetarja e Komisionit për imunizim, dr. Aleksandra Grozdanovska. 
 
Paneli u organizua nga Zyra e UNFPA-së në Shkup, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë dhe Roche Macedonia, Shkup.
 
LEUNORA KALIQI