Botë
Turqi dhe Siri, regjistrohen dy tërmete të reja me 11 viktima
21.02.2023 15:45
Dy tërmete tjera me magnitudë 6.4 dhe 5.8 shkallë e kanë goditur rajonin kufitar Turqi-Siri...

Dy tërmete tjera me magnitudë 6.4 dhe 5.8 shkallë e kanë goditur rajonin kufitar Turqi-Siri. I pari ishte i magnitudës 6.4, me epiqendër në Samandag, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.8 ballë, po në këtë qark. Njëmbëdhjetë persona humbën jetën nga tërmeti që shkaktoi frikë të madhe në rajon e Hatay dhe Iskenderun, ndërsa mbi 800 të tjerë u plagosën. Spitali në Iskenderun, është jashtë përdorimit për shkak të disa shembjeve brenda godinës. Të lënduarit me lëndime të lehta, janë hospitalizuar në spitalin modular, ndërsa pacientët më kritikë janë transferuar në klinika të tjera.
“Në orën 20.04 ka ndodhur një tërmet me magnitudë 6.4 ballë me qendër në lagjen Defne dhe më pas të gjitha ekipet tona kanë filluar të kontrollojnë të gjithë zonën. Deri më tani, 213 nga qytetarët tanë të plagosur janë dërguar në spital për mjekim. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar në tre qytete.”, - deklaroi ministri i punëve të brendshme të Turqisë, Suleyman Soylu.
"Rruga lëvizte si dallgë. Ndërtesa lëvizte përpara e mbrapa, makinat lëviznin majtas djathtas. Më rrëzoi. Hatay nuk është më një vend i sigurt. Dëgjuam shumë ndërtesa që shemben. Do të presim një ditë të re, por nuk e di se çfarë do të bëj.", - u shpreh banorja e Hatay, Mehmet Irmak.
Përveç Turqisë dhe Sirisë, pasgoditjet e reja të fuqishme u ndjenë edhe në Liban, Izrael, Qipro, madje edhe në Egjipt. Thellësia ishte 10 km, nga Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC).
Tërmetet me magnitudë 7.8 dhe 7.6 goditën Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt, duke vrarë afro 47,000 njerëz, shumica në Turqi 41.000 dhe duke lënë më shumë se një milion të pastrehë, dhe një kosto ekonomike që pritet të shkojë në dhjetëra miliarda dollarë.
SAFET ADEMI
