Botë

Lufta në Ukrainë, Putin: Do të vazhdoj luftën, Rusia nuk merr pjesë në traktatin për armët

21.02.2023 18:06

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin gjatë fjalimit në kuadër të përvjetorit të luftës...

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin gjatë fjalimit në kuadër të përvjetorit të luftës, akuzoi Perëndimin për armët dhe pajisjet ushtarake të dërguara në mbështetje të Ukrainës.
 
Sipas tij, Perëndimi po përgatitej ta kthente Ukrainën në një platformë lëshimi për të sulmuar Rusinë. Putin tha se Perëndimi e ka lëshuar xhindin nga shishja në disa rajone në botë, për të nxitur kaos dhe luftë.
 
“Ukraina ka punuar “pas shpine” dhe “po përgatiste një skenar krejtësisht tjetër. Udhëheqësit perëndimorë po diskutonin furnizimin me armë bërthamore në Ukrainë përpara se të fillonte ‘operacioni special ushtarak’ i Rusisë një vit më parë. Perëndimi kishte dërguar tashmë pajisje të rënda ushtarake, avionë dhe sisteme mbrojtëse në Ukrainë. Kudo nëpër botë, Perëndimi nxit konflikte dhe luftë, ata e kanë lëshuar xhindin nga shishja në disa rajone në botë dhe aty ka kaos.”, - deklaroi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
 
Putin është zotuar se do të vazhdojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e ka akuzuar aleancën e NATO-s për nxitje të konfliktit, me “besimin e gabuar” se mund ta mposhtë Rusinë. 
 
Shefi i NATO-s: Putin të rishqyrtojë vendimin
 
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përsëriti shqetësimet e ShBA-së se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë për ta ndihmuar atë të vazhdojë luftën e saj kundër Ukrainës.
 
“Është presidenti Vladimir Putin ai që ka nisur këtë luftë perandorake pushtuese. Është Putin ai që vazhdon të përshkallëzojë luftën. Ne jemi gjithashtu gjithnjë e më të shqetësuar se Kina mund të planifikojë të ofrojë mbështetje vdekjeprurëse për përpjekjet luftarake të Rusisë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Stoltenberg gjithashtu  shprehu keqardhje për vendimin e Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen e saj në Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike (START) dhe i bëri thirrje vendit të rishqyrtojë vendimin e saj.
 
Por, presidenti rus, Vladimir Putin tha se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen në Traktat. Putin tha, se Rusia duhet të jetë e gatshme që të testojë armët bërthamore, nëse Shtetet e Bashkuara e kryejnë të parat një testim të tillë.
 
I ashtuquajturi START-i i ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021. I  nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.
 
FARIIJE DAUTI BAKIJU