Botë

Turqia vazhdon të numërojë viktimat, prioritet tani, pastrimi i miliona ton rrënojave

22.02.2023 14:02

Teksa numri i të vdekurve nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi vazhdon të rritet, ekspertët e zhvillimit të OKB-së...

Teksa numri i të vdekurve nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi vazhdon të rritet, ekspertët e zhvillimit të OKB-së alarmojnë se 1.5 milionë njerëz në jug të vendit kanë mbetur të pastrehë. Sipas tyre, masa e madhe e shkatërrimit e bën tërmetin më të madh në historinë e Turqisë, fatkeqësinë më të madhe natyrore me të cilën vendi është përballur ndonjëherë. Puna pas tërmetit, është pastrimi i rreth  116 deri në 210 milionë tonë rrënoja.
 
“1.5 milion njerëz kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti i fundit, me nevojën për të rindërtuar të paktën 500,000 shtëpi të reja. Tërmeti i fundit i madh në Turqi në vitin 1999, i cili gjithashtu pati një numër të lartë viktimash, më pak se gjysma e asaj që po shohim tani, rezultoi me 13 milion ton rrënoja.”, - deklaroi përfaqësuesja e UNDP – Turqi, Louisa Vinton.
 
Tërmeti në Siri shkatërroi edhe spitalet, vazhdojnë ndihmat humanitare nga mbarë bota
 
Në Sirinë veriperëndimore, 55 objekte shëndetësore janë dëmtuar, disa prej tyre janë shkatërruar plotësisht. Ekipe të huaja u vijnë në ndihmë vendasve.
 
"Kam thyer këmbën dhe hundën. Shkuam në spitalin e Afrinit. Spitali ishte i dëmtuar. Nuk kishte mjekë, nuk kishte ambulanca dhe u kthyem në shtëpi.”, - theksoi e mbijetuara nga tërmeti në Jindris, Ibtisam Ahmed. 
 
"Në dy ditët e para, ne trajtuam 1.300-1.400 pacientë, përveç 900 të tjerëve që u trajtuan ditët në vijim.", - u shpreh kreu i ekipeve mjekësore të BCF, Abbas Azad. 
 
Edhe në Siri vazhdon reagimi humanitar ndërkombëtar. 
 
“Përveç furnizimeve që ishin brenda Sirisë, ne kemi lëvizur afër 100 tonë ndihma përmes Turqisë, që përfshijnë ilaçe thelbësore, materiale harxhuese, anestezi, pajisje kirurgjikale dhe pajisje të tjera mjekësore për 40.000-49.000 ndërhyrje shtesë për njerëzit që kanë nevojë për mbështetje kirurgjike ose mbështetje mjekësore për lëndime specifike nga tërmeti.”, - theksoi menaxhuesja e fatkeqësive pas tërmeteve “Who Evropë”, Catherine Smallwood. 
 
Pas më shumë se një dekade lufte në Siri lajme potencialisht pozitive vijnë për ndihmat e dërguara  nga Damasku në Idlib, rajon ky që kontrollohet nga forcat e armatosura të opozitës.
 
FITORE DEMOLLI