Maqedoni

Hyrja në qeveri, Taravari: Vazhdojmë luftën politike me BDI-në

22.02.2023 14:47

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha në “Argument” në TVM 2...

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha në “Argument” në TVM 2, se nuk është diskutuar ndonjëherë bashkëpunimi eventual parazgjedhor me BDI-në, bazuar në frontin pro-evropian. Gjithsesi, sipas tij në frontin pro-evropian, nëse formohet, është e padiskutueshme që do të  përfshihen të gjitha partitë shqiptare. Taravari kategorikisht mohon zërat se përfshirja në ekzekutiv në këtë moment, bëhet për të amortizuar pakënaqësitë në BDI. Thotë se lufta politike me partinë e Ahmetit, do të vazhdojë edhe përkundër bashkëqeverisjes. 
 
"Edhe nëse futemi në qeveri ne nuk bëhemi një. Ne kemi kuadrot tona, të cilat i udhëheqin institucione të caktuara. Mund të kritikohemi, mund të kemi qëndrime të ngjashme. Qeveria zakonisht kur i sjell vendimet, i sjell me konsensus. Aty ministrat tonë me disa vendime mund të pajtohen, me disa jo, por gjithnjë ta mendojnë të mirën e qytetarit.", - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
 
Përzgjedhja e ministrive, Taravari: Na dhanë ato ku ish-ministrat s’e kryen punën
 
Taravari, gjithashtu mohoi se ka pasur insistim nga ana e tyre për marrjen e ministrive të caktuara. Përkundrazi, ai informoi se atyre u janë ofruar ministri për punën e të cilave qeveria  nuk ka qenë e  kënaqur. 
 
“Natyrisht ne nuk mund të bisedojmë me të gjitha partitë e shumicës, por do të bisedojmë me kryeministrin dhe ne nuk kemi insistim këtë ministri apo atë ministri. Ato ministri për të cilat ato nuk ishin të kënaqur dhe ishin të gatshëm që t’i ndryshojnë, të bëjnë ndryshimet e caktuara dhe ne ku kishin resurse njerëzore kemi arritur marrëveshje që t’i kemi këto tre ministri që do t’i udhëheqim në periudhën e ardhshme.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
 
Sa i përket kritikave dhe akuzave të shumta nga ana e VMRO-DPMNE-së drejt ASh-së, Taravari theksoi se me këtë retorikë anti-shqiptare VMRO vetëm po dëmton veten, pasi pas zgjedhjeve të ardhshme nuk do të mund të gjejë një partner shqiptar për të bashkëpunuar. 
 
ERSAN PAJAZITI