Ekonomi
Energjia e subvencionuar, ShK: Nuk i ulën çmimet, t’i kthejnë paratë
22.02.2023 15:30
Kompanitë të cilat kanë shfrytëzuar energji elektrike të subvencionuar....

Kompanitë të cilat kanë shfrytëzuar energji elektrike të subvencionuar, duhet t’i kthejnë paratë në buxhet për shkak se nuk ndjehet ulje e çmimeve, thonë nga organizata për mbrojtjen e konsumatorëve. Shtojnë se më mirë do të ishte që këto mjete tu kthehen qytetarëve të cilët edhe ashtu e mbushin buxhetin.
“Unë personalisht jam befasuar kur thanë se do t'i ndalin subvencionet për kompanitë. Ata nuk duhet t’i ndalin, por duhet të kërkojnë t’i kthejnë ato para për atë rrymë të subvencionuar dhe ne po e kërkojmë këtë. T’i kërkojnë paratë që u janë dhënë të kthehen, ashtu siç dhanë subvencionet për kompanitë dhe nuk përfunduan tek punëtorët. Me ato mjete mund të subvencionojnë që të kemi “energji të gjelbër”, le të subvencionojnë qytetarët të kenë fatura më të ulëta të energjisë elektrike.”, - deklaroi kryetarja e Shoqatës së konsumatorëve, Marijana Lonçar.
Shoqata e konsumatorëve: Shumë ankesa për abuzime me çmimet
Çmime të larta, çmime të ndryshme në rafte dhe ndryshe në kasë, ulje e sasisë së produkteve janë një pjesë e ankesave të qytetarëve.
“Ankohen për atë se çfarë çmimi ka në rafte, çfarë në kasë, me sasinë, janë të revoltuar në shumë sfera. Atë që e keni blerë më herët, tani e bleni 1/3 e saj. Mos të flas për ushqimet për fëmijë, të cilat tmerrësisht janë shtrenjtuar, njëjtë me produktet higjienike. Gjithçka është shtrenjtuar dhe ne si konsumatorë gjendemi në një situatë tejet të vështirë.”, - u shpreh kryetarja e Shoqatës së konsumatorëve, Marijana Lonçar.
Ministri i Ekonomisë ditë më parë njoftoi se deri në fund të muajit do të dihet se a do të vazhdojë subvencionimi për ato të kompanive, të cilat nuk e kanë respektuar marrëveshjen, ndërsa ata që i kanë respektuar do të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë edhe më tej masat.
GAZMEND KURTISHI
