Maqedoni
Alarme të reja të rreme për bomba, evakuohen 67 shkolla dhe një çerdhe
22.02.2023 16:03
Kërcënime të reja këtë të mërkurë për vendosje të bombave zbrazën 66 shkolla në Shkup...

Kërcënime të reja këtë të mërkurë për vendosje të bombave zbrazën 66 shkolla në Shkup, në komunat Çair, Gazibabë, Qendër, Gjorqe Petrov, Karposh, një shkollë në Prilep dhe një çerdhe. Nxënësit dhe prindërit të shqetësuar, potencuan se kërcënimet e rreme po shkaktojnë ngecje në procesin edukativo arsimor dhe më së shumti nga kjo situatë po pësojnë nxënësit.
“Nuk ka mësim se ka bombë, u shqetësuam pak.”, - tha një nxënës.
“Tek notimi po ndikon, sepse po vjen deri në fazë që po na shtyhen testet dhe të gjitha, pastaj po grumbullohen dhe e kemi pakëz më vështirë për t’u notuar.”, - u shpreh një nxënës tjetër.
“Po humbin shumë orë dhe po ngecin me mësime. Njëherë ishte Kovidi, më pas mësimi online, tash sulmet me bomba. Nuk e di besoj se ka ndonjë masë apo mjet për ta gjetur se kush i bën këto, sepse fëmijët kanë ngecur, të gjitha gjeneratat.”, - theksoi një prind.
Pre e kërcënuesve ishin edhe dhjetë shkolla në Komunën e Çairit. Nga kjo komunë është themeluar Këshilli për Mbrojtje dhe Shpëtim që do të realizojnë trajnime të kuadrit për evakuim në raste të tilla.
“Të bëjmë një lloj parapërgatitje që në raste se ballafaqohemi ndonjëherë me fatkeqësi të tilla, të jemi të përgatitur se si të tejkalojmë dhe t’i bëjmë ballë me lehtësi.”, - deklaroi zëdhënësi në komunën e Çairit, Fari Iseni.
MPB deri më tani ka ngritur padi penale kundër dy të miturve nga Kavadari dhe Tetova për paraqitje të rreme për vendosje të bombave. Ndërkohë Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski disa herë ka potencuar se kërcënimet e rreme janë pjesë e luftës hibride dhe se po punohet në identifikimin e kërcënuesve.
FLUTURA LATIFI
