Maqedoni
Kuvend, vazhdon diskutimi për shkarkimin e ministrave
22.02.2023 16:26
Kuvendi diskuton shkarkimin e tre ministrave nga radhët e Aletrnativës për tetë ditë radhazi....

Kuvendi diskuton shkarkimin e tre ministrave nga radhët e Aletrnativës për tetë ditë radhazi. Aktualisht diskutohet propozimi për shkarkimin e ministrit për diasporë, Xhemail Çupi. Mirëpo, diskutimi më së shumti i ngjan një interpelance të Qeverisë, ku kërkohet llogari për punën e ekzekutivit në tërësi sesa diskutim për ministrat konkret. Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, shkarkimi i ministrave kërkohet për pazare politike ndërpartiake dhe vazhdimin e jetëgjatësisë së Qeverisë dhe jo për faj të ministrave. Rikujtuan LSDM-në se promovonte reduktimin e ministrive dhe jo sajimin e dikastereve të rinj për të kënaqur nevojat e partnerëve të koalicionit.
“Vazhdimisht sajonin vende pune, pozita dhe funksione në Qeveri, vetëm për të bërë pazar me partnerët politik për ta mbajtur në pushtet koalicionin e tyre artificial dhe shumicën. Ashtu ka qenë më parë, ashtu do të jetë edhe tani. Prandaj kjo miqësi politike do të përfundojë njësoj, si edhe ato të deritanishme. Pa sukses, pa lavdi pasi është sajesë artificiale e motivuar nga interesat biznesore partiake për shpëtimin e koalicionit.”, - deklaroi kordinatori i GP të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Akuzat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së në adresë të Qeverisë i demantojnë kryetarët e komunave nga radhët e VMRO-së, thotë deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq.
“Flisni për Qeverinë, mirëpo ja mirënjohje publike nga institucion që e drejton kuadër nga partia e juaj. Ja komuna Veles se si falënderon publikisht ndërmarrjen publike për rrugë shtetërore pasi bën rrugën nga fshati Bashino deri te liqeni Rinia. Mirënjohje publike deri te NP Rrugë Shtetërore që është institucion qeveritar.”, - theksoi Nenad Kociq nga LSDM.
Sipas deputetëve të Lëvizjes “Besa”, diskutimi ka devijuar që në propozimin e kryeministrit, i cili nuk ka paraqitur asnjë arsye konkrete për shkarkimin e tre ministrave.
“Kemi iniciativë për shkarkimin e tre ministrave, mirëpo realisht në asnjë moment nuk dëgjuam nga ana e kryeministrit se pse shkarkohen këta tre ministra. Ku është arsyeja, ku është motivi i shkarkimit të këtyre tre ministrave dhe zëvendësministrave që pasojnë?!”, - u shpreh deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
Paraprakisht, Kuvendi ka shter diskutimin për ministrin e Shëndetësisë dhe atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratë, përkatësisht për ministrin Bekim Sali dhe Admirim Aliti.
SHPËTIM NUREDINI
