Maqedoni
Punonjësit shëndetësorë në protestë, kërkojnë rritje pagash e kushte më të mira pune
22.02.2023 16:15
Mjekët, infermierët dhe personeli mjekësor përmes protestës u ankuan se kërkesat e tyre thelbësore në lidhje...

Mjekët, infermierët dhe personeli mjekësor përmes protestës u ankuan se kërkesat e tyre thelbësore në lidhje me sistemin shëndetësor ka kohë që injorohen nga Qeveria. Sindikalistët shëndetësorë shprehën shqetësimin e tyre për ikjen e mjekëve dhe infermierëve nga vendi, vonesat e pagave për shkak të problemeve të fundit të sistemit të Fondit Shëndetësor, si dhe kërkesën për rritjen e pagave dhe përshtatjen e tyre me pagën minimale. Përveç në Shkup, protesta njëkohësisht u zhvilluan gjatë pushimit të punës edhe para qendrave klinike në qytete të tjera të vendit. Sipas tyre propozim ligji për paga në sektorin publik nënkupton ulje apo heqje të të drejtave të punëtorëve sipas marrëveshjeve kolektive.
“Paga minimale do të barazojë pagat tona deri në grupin e pestë të kompleksitetit ku ndodhen motrat tona medicinale me arsim të mesëm. Kjo do të krijonte një absurditet në marrëveshjen kolektive që infermieret me arsim të mesëm të kenë një pagë minimale, të cilën ne e dimë që ka trajtimin e kategorisë sociale.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës shëndetësore pranë SPM-së, Ljubisha Karanfillovski.
“Mos nënshkrimi i kontratës kolektive, mungesa e vizionit se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm me rritjen e re të pagave, mungesa e vizionit për punësimin e stafit të ri dhe mbajtjen e kuadrove, realisht nuk e dimë se në cilin drejtim po shkon shëndeti publik.”, - theksoi Gordana Dimeska nga Sindikata e pavarur e qendrës klinike.
“Vetë numri i ikjes së mjekëve të rinj dhe motrave tregon për pakënaqësinë tonë shumë vjeçare. Është koha që kësaj t’i thuhet boll, mjaft. Koha është që të rriten pagat, edhe pse është paralajmëruar çdo vit që të ngriten 5%. Por, 5% nuk është paguar, as regresi nuk është bërë. Pakënaqësitë janë të mëdha. Kupa është mbushur. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë.”, - u shpreh dr. Aliriza Osmani nga spitali në Kumanovë.
“Dolëm për dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë, për sjelljen nënçmuese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë ndaj punëtorëve shëndetësorë. Dolëm të themi se ne jemi këtu, edhe ne ekzistojmë.”, - theksoi dr. Sllobodanka Grçarovska nga spitali në Tetovë.
Nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre sindikalistët paralajmërojnë radikalizmin e protestave.
LEUNORA KALIQI
