Maqedoni
Vendkalimi kufitar Llojan-Miratovc, nënshkruhet protokolli për kontrollet kufitare
22.02.2023 18:00
Pas dy dekadave pritje u nënshkrua protokolli për mënyrën e kryerjes se kontrolleve kufitare...

Pas dy dekadave pritje u nënshkrua protokolli për mënyrën e kryerjes se kontrolleve kufitare në pikën e përbashkët Llojan – Miratoc. Firma mbi këtë dokument u vu nga Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një takim bilateral në Beograd me homologun serb, Bratisllav Gashiq. Dy ministrat thanë se Protokolli do të kontribuojë në rregullimin e detajuar të mënyrës së kryerjes së kontrolleve kufitare në këtë vendkalim të përbashkët, si dhe do ta forcojë dhe bëjë më efikas bashkëpunimin.
“Ju e dini që kemi nënshkruar marrëveshje për hapjen e kësaj pike kufitare, tani po i nënshkruajmë protokollet, mbetet që të rregullojmë infrastrukturën e kësaj pike kufitare, që ta vëmë në funksion. Me nënshkrimin e Protokollit përfundojmë aktivitetet për menaxhim të mirë të kufirit. E pashmangshme ishte edhe tema e pikës kufitare Tabanovc, si të përmirësohen kushtet e punës, të ofrohen zgjidhje që do të nënkuptojnë qarkullim më të shpejtë të udhëtarëve në këtë pikë kufitare, ku vitin e kaluar kemi pasur një rritje prej rreth 50 për qind të numrit të udhëtarëve, i cili qarkullonte nëpër vendkalim, gjë që na detyron që bashkërisht të bëjmë gjithçka për të përmirësuar kushtet për një qarkullim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave.”, - deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Ministri Spasovski bëri të ditur se në kuadër të iniciativës, Ballkani i Hapur, do të krijojnë kushte që qytetarët e të dyja vendeve të kalojnë pa asnjë kontroll në pikën kufitare Llojan – Miratoc.
SANIJE DURAKI
