Përshkallëzohet sërisht situata në Lindjen e Mesme
Vijojnë të mbeten të larta tensionet në Lindjen e Mesme...

Vijojnë të mbeten të larta tensionet në Lindjen e Mesme. Disa raketa u hodhën para agimit nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit, i cili u përgjigj menjëherë duke ngritur në ajër avionët luftarakë.
Ministria e Mbrojtjes në Izrael, informon se gjatë sulmeve u goditën një vend prodhimi armësh, një kompleks ushtarak që i përket organizatës terroriste Hamas, një klinike mjekësore, një hotel, një stacion policie dhe një shkollë, në pjesën qendrore dhe veriore të Gazës si dhe një vend që i përket brigadave Al Qassam, krahut ushtarak të Hamasit, pranë kampit të refugjatëve Al Shati, në veri-perëndim të qytetit të Gazës.
Tensionet vijnë një ditë pasi trupat izraelite vranë të paktën 11 palestinezë dhe plagosën dhjetëra të tjerë gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor . Shpërthime dhe të shtëna armësh u dëgjuan ndërsa trupat hynë në qytetin e vjetër të Nablus të mërkurën në mëngjes.
Edhe pse ushtria izraelite tha se vrau tre militantë të cilët refuzuan të dorëzoheshin , disa nga të vrarët janë civilë, përfshirë dy të moshuar dhe një 16 vjeçar. Ministria palestineze të shëndetësisë , thotë se më shumë se 80 persona kanë marrë plagë nga plumbat. Pesë spitale të ndryshme në Nablus aktualisht po i trajtojnë ata.
Një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmoud Abbas tha se ai e konsideronte qeverinë izraelite përgjegjëse për "këtë përshkallëzim të rrezikshëm, i cili po e shtyn rajonin drejt tensioneve shpërthyese".
Grupi militant Hamas, i cili kontrollon Rripin e Gazës, paralajmëroi se po "monitoronte krimet në përshkallëzim të kryera nga armiku kundër popullit palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe se po i mbaron durimi".
