Hungaria do të votojë në mars për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO
Ligjvënësit hungarezë do të votojnë...

Ligjvënësit hungarezë do të votojnë për aplikimet për anëtarësim në NATO të Finlandës dhe Suedisë në fillim të marsit. Debati parlamentar për pranimin e këtyre dy shteteve në aleancën ushtarake perëndimore do të zhvillohet javën e ardhshme dhe votimi – i ndarë për secilin shtet – do të mbahet nga 6 deri më 9 mars, thuhet në ueb-faqen e Parlamentit të Hungarisë.
Turqia dhe Hungaria janë dy shtetet e vetme të NATO-s që ende nuk kanë ratifikuar aplikimet për anëtarësimin e shteteve nordike. Që këto dy shtete të bëhen pjesë e aleancës, duhet që parlamentet e 30 shteteve anëtare të ratifikojnë aplikimet e tyre.
Hungaria ka sinjalizuar se pret që të miratojë aplikimet e Suedisë dhe Finlandës, duke deklaruar se nuk ka asnjë kundërshtim.
Opozita ka kritikuar partinë udhëheqëse Fidesz të Orbanit se po zvarrit çështjen e ratifikimit të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë.
Finlanda dhe Suedia në maj të vitit 2022 vendosën që të aplikonin për anëtarësim në NATO pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
