Kuvend, shkarkohen tre ministrat e Alternativës

23.02.2023 12:57

Kuvendi ka shkarkuar tre ministrat...

Kuvendi ka shkarkuar tre ministrat që vinin  nga radhët e Alternativës . Me 105 deputetë të pranishëm në seancë,ministri i Shëndetësisë , Bekim Sali, u shkarkua me 65  vota “pro” dhe asnjë kundër, ndërsa ministrat për Shoqërinë Informative dhe Administratën - Admirim Aliti dhe ministri pa portofol i ngarkuar me diasporën - Jemail Çupi , u shkakruan me 64 vota “pro” dhe një “kundër”.

Seanca për shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj të Qeverisë filloi dhjetë ditë më parë, më 13 shkurt. Në rendin e ditës janë katër pika të tjera. E dyta në këtë seancë është pika në të cilën diskutohet e më pas duhet të votohet zgjedhja e anëtarëve të rinj të qeverisë.

Me zgjedhjen e ministrave të rinj duhet të plotësohen pozitat e ministrave të shkarkuar sot dhe  të ish-ministrave të Drejtësisë Nikolla Tupanceski dhe të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini. Për shkarkimin e Tupançeskit dhe Nuredinit nuk është diskutuar pasi ata dorëzuan dorëheqjet si rezultat i marrëveshjes për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri dhe rishpërndarjen e posteve, kështu që Kuvendi vetëm konfirmoi dorëheqjet e tyre.

Ministrat e rinj që do të zgjidhen janë: Krenar Loga (ASh) – Ministër i Drejtësisë; Fatmir Majiti (ASh) – Ministër i Shëndetësisë,  Azir Aliu (ASh) – Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës dhe Kaja Shukova (LSDM) – Ministre e Mjedisit Jetësor  dhe Planifikimit Hapësinor.