Berlinalja 2023, më 25 shkurt mësohen fituesit e "Ariut të Artë"
Berlinalja e rikthyer në formë të plotë...

Berlinalja e rikthyer në formë të plotë pas pandemisë Covid, ka mbledhur në këto dhjetë ditë në Berlin, 183 filma.
18 marrin pjesë në garën kryesore për Ariun e Artë, çmimin kryesor të Berlinales, që do të bëhet i njohur të shtunën, më 25 shkurt, në një mbrëmje gala. A do të jetë fituesi ose fituesja një film gjerman? Gjasat nuk janë të pakta: nga 18 filmat garues, pesë janë gjermanë.
Megjithatë njëri prej protagonistëve më të shquar të Berlinales 2023, e mori Ariun e Artë qysh të martën, në mbrëmje: Steven Spielberg, regjisori dhe producenti i famshëm nga Hollyëoodi u nderua me Ariun e Nderit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në botën e kinematografisë.
Për nder të tij , Berliale shfaq një retrospektive të gjatë me filmat e Spielbergut, duke filluar nga “Jaws” (1975), E.T (1982), Schindlers List (1993) e deri te filmi më i fundit gjysmë-autobiografik “Fabelmans”, i cili është propozuar për shtatë çmime Oscar.
Në Berlinale 2023, u shfaq edhe dokumentari i aktorit dhe regjisorit të Holliwoodit Sean Penn, “Superpower” (Superfuqi). Filmi portretizon Zelenskin dhe ditët para pushtimit rus të Ukrainës, me Penn që fillimisht synonte të bënte një portret të komediantit që është president.
Në Berlinalen 2023 nuk merr pjesë asnjë film shqiptar. Në kuadër të panarit të filmit European Film Market, u rikthyen edhe Qendrat Kombëtare të Kinematografisë të Kosovës dhe Shqipërisë me stendën e tyre të përbashkët të munguar për dy vjet radhazi. Në këtë kuadër, publikut të fushës iu prezantua edhe filmi i Gentian Koçit,“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, që është propozimi zyrtar i Shqipërisë për çmimin Oskar 2023.
