Spitali i Prilepit, prokuroria heton vdekjen e 52 vjeçares
Prokuroria po grumbullon dokumentacionin...

Prokuroria po grumbullon dokumentacionin lidhur me vdekjen e 52 vjeçares nga Prilepi, të cilës pas intervenimit në repartin e gjinekologjisë iu përkeqësua gjendja dhe vdiq në klinikën e Shkupit.
Siç bëhet e ditur Prokuroria ka hapur rast për gjendjen me këtë spital për tre raste të trajtimit shëndetësor që janë komplikuar. Priten rezultatet e mostrave nga sallat e operacionit dhe nga stafi i spitalit të Prilepit, ndërsa ajo që deri më tani dihet është se në mostrën e saj të hemo kulturës është zbuluar një bakterie.
Pritet raporti nga inspektimi i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor.
“Derisa nuk i marrim rezultatet nuk do të spekulojmë për shkaqet e vdekjes së pacientes. Apeloj të priten rezultatet edhe nga obduksioni, më pas do të kemi informata.”, - u shpreh drejtoresha e Inspektoratit shëndetësor sanitar, Renata Mlladenovska.
Pas mbledhjes së sotme, Komisioni për infeksionet intraspitalore me anë të një njoftimi me shkrim ka siguruar se po vepron sipas programit vjetor në përputhje me rregulloret e Ministrisë së Shëndetësisë, që parasheh eliminimin dhe parandalimin e infeksioneve intraspitalore.
Ata thonë se janë dy raste që mund të thuhet se i përkasin infeksioneve intraspitalore. Sipas Komisionit, spitali është pastruar dhe dezinfektuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe priten rezultatet përfundimtare. (Fitore Demolli, TVM2)
