Maqedoni
Kuvend, shkarkohen ministrat Sali, Aliti dhe Çupi
23.02.2023 14:29
Pas 10 ditësh debat, Kuvendi shkarkoi tre ministrat nga radhët e Alternativës....

Pas 10 ditësh debat, Kuvendi shkarkoi tre ministrat nga radhët e Alternativës. Me 65 vota “për” është shkarkuar nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali. Ndërkaq me 64 vota “për” dhe një “kundër” janë shkarkuar edhe ministri për Administratë dhe Shoqëri Informatike, Admirim Aliti dhe ministri pa resor, i ngarkuar për Diasporën, Xhemail Çupi. Nga LSDM thonë se akti i votimit nxori në shesh gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së opozitare, sepse mazhoranca dëshmoi se ka shënuar progres.
“Me votimin e 65 deputetëve sot në kuvend u vërtetua gjithçka që LSDM-ja dhe partnerët e saj në koalicion kanë thënë me ditë të tëra, gjegjësisht se shumica parlamentare po shënon progres. Gjithçka që VMRO-DPMNE është përpjekur ta paraqesë si të vërtetë me ditë të tëra ka dështuar, gjegjësisht konfuzioni i tyre dhe mos ideja i ka bërë që as sot të mos votojnë në Kuvend. Fatkeqësisht, për shkak të frenimeve dhe bllokadave të opozitës VMRO-DPMNE humbën 10 ditë në Kuvend.”, - deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.
Deputetët e VMRO-DPMNE nuk morën pjesë në votim.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk votoi për shkarkimin e ministrave të këtij rindërtimi të qeverisë së Kovaçevskit, sepse ashtu si një vit më parë, edhe tani kemi një situatë të arnimit të mazhorancës pa një synim të qartë, pa një program, pa vizion. Kemi një situatë në të cilën nga njëra anë arnojnë mazhorancën, ndërsa nga ana tjetër u griset shumica qeverisëse, sepse ka humbur plotësisht legjitimitetin e qytetarëve.”, - theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Pas shkarkimit të ministrave, në rend dite është zgjedhja e ministrave të ri nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa për fjalë janë paraqitur 38 deputetë. Nga VMRO-DPMNE kërkuan që diskutimi të jetë i njëjtë si për shkarkimin e ministrave, por kreu i kuvendit, Xhaferi sqaroi se kjo nuk është sipas rregullores së punës. Seanca për rikonstruimin e qeverisë filloi më 13 shkurt, pasi Aleanca për Shqiptarëve u bë pjesë e mazhorancës, ndërsa Alternativa kaloi në opozitë.
NAIM RAMADANI
