Maqedoni

Alarme për vendosje të bombave në shkolla, evakuohen 14 shkolla, vijojnë kontrollet

23.02.2023 16:11

Kërcënimet për vendosje të bombave zbrazën sërish 14 shkolla në Shkup....

Kërcënimet për vendosje të bombave zbrazën  sërish 14 shkolla në Shkup. Dy ditë rresht, pre e kërcënimeve janë shkollat fillore që figurojnë në Komunën e Çairit dhe Gazibabës  dhe shkollat e mesme Josip Broz Tito dhe Orce Nikollov. Nxënësit dhe kuadri arsimor janë evakuuar, mësimi është ndërprerë, ndërsa nga MPB potencuan se po vijojnë kontrollet antiterror.  
 
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit nga zyrtarë policorë janë ndërmarrë masa për evakuim të sigurt të objekteve dhe po vijojnë kontrollet antiterror për zbardhjen e rasteve.”. 
 
Nëse marrim për bazë përvojat e shteteve tjera duhet që nëse përsëriten në kontinuitet, raste të tilla të kalohet në mësim online, thonë nga Gjimnazi “Josip Broz Tito”.
 
“Për momentin nuk shoh zgjidhje me të mirë sesa mësimi online, sepse nuk po shoh ndonjë propozim tjetër për t’u kompenzuar orët që po humbin çdo ditë. Tani kanë maturën shtetërore për t’u regjistruar në fakultete dhe mendoj se shteti, ministria të marrin masa adekuate që të kompenzohen mësimet e humbura.”, - theksoi profesori, Dragan Danev.
 
MASh me rekomandim për shkollat, kur ka kërcënime, të ketë mësim online
 
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës iu rekomandojnë drejtorëve të  shkollave fillore dhe të mesme që të përforcojnë kontrollet për hyrje-dalje nga objektet shkollore dhe në ditët kur marrin e-maile me përmbajtje kërcënuese, mësimi të vijojë në variantin online. Deri më tani të gjitha kërcënimet për vendosje të bombave kanë rezultuar  të rreme. 
 
FLUTURA LATIFI