Maqedoni

Kuvend, pyetje deputetësh, sërish probleme për marrjen e shtetësisë

23.02.2023 16:26

Ligji për shtetësi, edhe pas ndryshimeve të fundit, nuk gjen zbatimin e duhur...

Ligji për shtetësi, edhe pas ndryshimeve të fundit, nuk gjen zbatimin e duhur. Nuk respektohen afatet e parapara në ligj as në korrespondencën mes MPB dhe Agjencisë për Siguri Nacionale dhe as në përgjigjen që duhet të merr aplikuesi, gjë që u mohon qytetarëve, që kanë aplikuar për të marrë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, të gjitha të drejtat që burojnë nga shtetësia. Deputetja e ASh-së, Ilire Dauti, ngriti shqetësimin e qytetarëve, një për një, në seancën për pyetje deputetësh dhe kërkoi sqarime nga ministri i punëve të brendshme.
    
“Zotëria në fjalë është i kurorëzuar me shtetas të RMV-së prej para 9 viteve, ndërkaq neni 9 i Ligji për shtetësi, thotë: I huaji, i cili është i kurorëzuar me shtetas të Maqedonisë së Veriut së paku tre vite, ndërsa pas parashtrimit të kërkesës të ketë jetuar së paku një vit pa ndërprerë në territorin e RMV-së me natyralizim, mund të marrë shtetësinë e RMV-së edhe nëse nuk plotësohen pikat 2, 3, 6 dhe 10 nga paragrafi një i nenit shtatë. D.m.th. jo një vit, jo tre vjet, por kanë kaluar më shumë se 9 vjet prej kur z. Abdulhamidi është i kurorëzuar me shtetase të RMV-së.”, - deklaroi  deputeti i ASh-së, Ilire Dauti.
 
Reagoi koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski. Sipas tij pyetjet e deputetes Dauti, për më shumë raste individuale u marrin kohën deputetëve të tjerë që të parashtrojnë pyetje. Hodhi dyshimin se kjo mund të jetë dakordësi mes partnerëve të rinj të koalicionit qeverisës për të ngulfat opozitën.
      
“Do të ishte mirë që pyetje të këtilla të grupoheshin, pasi janë të natyrës së njëjtë, pa u futur në problematikë dhe se duhet të zgjidhen problemet e këtyre qytetarëve. Apeloj, nëse nuk është ndonjë taktikë e përbashkët e partnerëve të ardhshëm të koalicionit që të stërzgjatet me pyetje, që mund të merrnin një përgjigje të përbashkët. Ndërsa, ajo që duhej të dëgjohet, nuk do të dëgjohet pasi qëllimi i shumicës ishte që të ngulfat pyetjet e deputetëve.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Pretendimet e Micevskit i demantoi deputeti Snopçe.
    
“S’ka gjë më të rëndësishme se të mbrosh interesin dhe të drejtat e qytetarëve në këtë shtet. Nuk ka gjë më të rëndësishme. Pra, ju thoni se kjo mund të lihet pas dore dhe ne të shohim raste tjera. Nuk ka gjë më të rëndësishme. Qytetarët nuk mund të shfrytëzojnë asnjë të drejtë në shtetin që jetojnë, ju thoni se paska gjëra më të rëndësishme se çështja e shtetësisë. Kjo nuk është aspak korrekte dhe më vjen keq që ratë kaq poshtë.”, - u shpreh deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
 
Në seancën për pyetje deputetësh ishin paraqitur 14 deputetë, prej të cilëve shtatë ishin nga VMRO-DPMNE dhe katër nga ASh-ja.
 
SHPËTIM NUREDINI