Maqedoni
Grubi dhe Asllani vizitë vendit ku u gjet pllaka “Dardanus”
23.02.2023 16:50
Vendi ku u gjet pllaka me mbishkrimin “Dardanus” e që duket se është lokalitet arkeologjik...

Vendi ku u gjet pllaka me mbishkrimin “Dardanus” e që duket se është lokalitet arkeologjik, në të cilin ka artefakte të vjetra dardane, u vizitua nga zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike, Arian Asllanaj. Në pllakën arkeologjike që u gjet në Karposh të Shkupit te varrezat e vjetra, janë shkruar emrat e Epikratit dhe bashkëshortes së tij me tre djemtë, njëri prej të cilëve emrin e ka pasur Dardanus, njoftoi Asllanaj.
“Në mbishkrimin e epitafit që u bë aq shumë e famshme shkruan: I ndjeri është Epikrati, i cili e ka shënuar gruan e tij dhe tre djemtë, e djali i tretë e ka emrin Dardanus.”, - theksoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike, Arian Asllanaj.
Zëvendëskryeministri, Artan Grubi siguroi se deri sa nuk nxirren të gjitha artefaktet, në zonën arkeologjike ku u gjet pllaka “Dardanus”, nuk do të lejohet as një lloj ndërtimi.
“Të gjitha artefaktet që gjenden këtu, do të dërgohen në Muzeun e Shkupit nga Qendra Konservatore, e cila po bën në fakt punimet këtu, e jo investitori. Derisa nuk kryejnë punë nga Qendra Konservatore e qytetit të Shkupit, nuk fillon ndërtimi i çfarëdo qoftë objekti në këtë vendbanim.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Sipas tij, janë respektuar procedurat ligjore nga investitori dhe nuk bëhet fjalë për asnjë tjetërsim të artefakteve. Pllaka me mbishkrimin “Dardanus” është dërguar në nekropolin e qytetit të Shkupit.
SANIJE DURAKI
