Botë

OKB: Rusia, shkel kartën tonë

23.02.2023 17:16

Lufta e Rusisë në Ukrainë shkel kartën e OKB-së dhe kjo duhet të dënohet, tha shefi i kësaj organizate Antonio Guterres...

Lufta e Rusisë në Ukrainë shkel kartën e OKB-së dhe kjo duhet të dënohet, tha shefi i kësaj organizate Antonio Guterres, duke e konsideruar luftën fyerje ndaj ndërgjegjes kolektive të botës. Komentet i bëri gjatë një takimi të Asamblesë së Përgjithshme, në prag të 1 vjetorit të luftës, ku u diskutua një mocion i mbështetur nga Ukraina dhe aleatët, i cili kërkon largimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të trupave ruse. 
 
“Një vjetori i luftës ruse në Ukrainë është një gurrëthemel i zymtë për popullin e Ukrainës dhe komunitetin ndërkombëtar. Pushtimi është një fyerje ndaj ndërgjegjes tonë kolektive. Është një shkelje e kartës së OKB dhe ligjit ndërkombëtar.”, - deklaroi shefi i Organizatës së Kombeve të bashkuara, Antonio Guterres.
 
Guterres dënoi ashpër edhe kërcënimet e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore dhe paralajmëroi se mundësia e përshkallëzimit të konfliktit është një rrezik real. Vasily Nebenzya, ambasador i Rusisë në OKB tha se ShBA dhe aleatët ishin të përgatitur për të zhytur të gjithë botën në luftë.
 
"Nëse kolegët tanë amerikanë kanë frikë nga ndonjë Luftë Botërore, ata kanë frikë nga veprimet e tyre të gabuara dhe do të shohim se ata rrezikuan paqen dhe sigurinë ndërkombëtare me veprimet e tyre, por jo Rusia.”, - deklaroi përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB,                                                          Vasily Nebenzya.
 
“Pushtimi në shkallë të plotë i vendit tim nga Rusia shkaktoi krizën më të keqe njerëzore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Rusia ka kryer të gjitha llojet e krimeve kundër popullit ukrainas për nëntë vitet e fundit, duke shkelur çdo pjesë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.”, - theksoi ministri i punëve të jashtme në Ukrainë, Dmitry Kuleba.
 
Putin, kërcënon me armë bërthamore
 
Pavarësisht thirrjeve nga liderët botërore për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, presidenti Putin,vazhdon takimet me aleatet e Rusisë. Gjatë një takimi me diplomatet kinez, Putin tha se nuk e ka në plan të ndalojë luftën në Ukrainë, madie kërcënon kundërshtarët me armët bërthamore.
 
“Si asnjëherë më parë, ne do t'i kushtojmë vëmendje të shtuar forcimit të treshes bërthamore. Këtë vit, lëshuesit e parë të sistemit raketor “Sarmat” janë me një sistem të avancuar dhe të rëndë dhe do të lëshohen në përdorim. Me miratimin e nëndetëses bërthamore "Borey-A", "Imperator Alexander III”` në Marinë, pjesa e armëve dhe pajisjeve moderne në forcat bërthamore strategjike detare, do të arrijë njëqind për qind.”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
 
OKB-ja pritet ta miratojë një rezolutë të re, e cila thekson nevojën për të arritur sa më shpejt paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, kjo rezolutë e mbështetur nga 60 vende nuk është ligjërisht e detyrueshme, por që ka peshë politike dhe se votimi i saj pritet të bëhet të enjten mbrëma në prag të përvjetorit të parë të sulmit rus mbi Ukrainën.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU