Maqedoni

Vërshimet: Situata vazhdon të mbetet kritike

07.02.2015 18:04

Situata me përmbytjet vazhdon të mbetet kritike. Disa lumenj janë ende në gjendje kritike, ndërsa me vëmendje të madhe po ndiqet gjendja e lumit Vardar...

Niveli rritet sidomos në Demir-Kapi, Udovë dhe në rajonin e Gjevgjelisë dhe Vallandovës. Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, rajone kritike ku niveli i ujit rrezikon të shkaktojë përmbytje janë ato rrotull lumit Bregallnica, lumit Kriva, lumit Treska në Pllasnicë, si dhe në grykën e Devicës.

Në gjendje kritike është edhe lumi Pçinja afër Pelinces dhe në bashkimin me degën e tij të Krivës, në rajonin e Strumicës.

Dëmet e shkaktuara tek qytetarët dhe të mbjellat bujqësore do të vlerësohen më pas. Gjatë mëngjesit, qarkullimi u ndërpre për një periudhë kohore.

Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave informojnë se nuk kanë munguar as rrëshqitjet e dheut, në autostradën Demir-Kapi- Udovë dhe në rrugën Negotinë- Shtip, në vendin Serta.

Autoritetet kanë ndërmarrë masa për pastrimin e rrugës. Nga mëngjesi, në ndërprerje është edhe qarkullimi hekurudhor në drejtimin Demir-Kapi- Gjevgjeli.

Qarkullimi bëhet deri në Demir-Kapi prej ku më pas, udhëtarët dërgohen me autobusë deri në Gjevgjeli. Probleme ka edhe në Kumanovë, Shtip si dhe në rajonin e Strumicës dhe Velsit. Rajonet e përmbytura i vizitoi edhe kryeministri Gruevski dhe një pjesë e kabinetit të tij qeveritar.

Meteorologët paralajmërojnë se nga fundi i ditës, nën ndikimin e një mase shumë të ftohtë nga veriu, do të ketë erë të fortë e cila gjatë ditëve të ardhshme do të shkaktojë edhe rënie të konsiderueshme temperaturash.

Era pritet të jetë e fortë, me shpejtësi mbi 80 km në orë. Velesi është qyteti i parë që është goditur nga vërshimi i Vardarit.

Vërshimet janë regjistruar në disa pika kritike, siç janë hyrja e Velesit, Parku i Qytetit dhe vendi i quajtur Benti i Vardarit. Lumi ka vërshuar edhe në pjesën e poshtme të shëtitores së Vardarit, nga ana e majtë e Velesit, duke përmbytur një pjesë të një restoranti që ndodhet fare afër lumit. Rrjedha e ujit të Vardarit sot është 194 metra kub në sekondë.

Edhe fshati Rashçe është një ndër vendet e goditura nga përmbytjet. Për shkak të reshjeve të shumta, lumi Vardar ka dalë nga shtrati në këtë fshat duke shndërruar në liqene, mbi 100 hektarë tokë pjellore sipërfaqe toke.

Përmbytjet e fundit përveç tokave pjellore të këtij fshati po rrezikojnë edhe shumë shtëpi të ndërtuara në afërsi të rrjedhës së lumit Vardar.

Rruga kryesore që shpie në drejtim të Rashçes është mbuluar thuajse e gjitha me ujë të ndotur, kurse, nën këtë asfalt gjenden edhe gypat kryesor që furnizojnë me ujë të pijshëm kryeqytetin.

HAMIDE IBRAHIMI